Zbardhet lista e donacioneve – Vetëm 293 milion euro të dhuruara, bie “miti” i Francës, Italisë, Gjermanisë
Nga totali prej 1,15 miliardë eurove, të cilat u mblodhën më datë 17 shkurt në konferencën e donatorëve në Bruksel, vetëm 295 milionë euro janë donacione, ose më saktë 26% e totalit.
Pjesa tjetër, 853 milionë euro janë në formë huaje ndërkohë, ndërsa rreth 3.4 milionë euro do të jepen në formë shërbimi apo mallrash.
Të dhënat zyrtare të Komisionit Europian tregojnë gjithashtu një panoramë tjetër të vendeve donatore, bazuar vetëm te paratë e dhuruara, në formë grantesh.
Emiratet e Bashkuara Arabe me 70 milionë euro janë vendi që ka bërë donacionin më të madh në formë dhurimi si shtet individual, duke u ndjekur nga Turqia me rreth 44 milionë euro.
Vendi i tretë në listë dhe i pari mes vendeve të Bashkimit Europian është Gjermania, me 11 milionë euro. Ndjek Zvicra me 9 milionë euro, Italia me 5 milionë euro, Katari me 4.6 milionë euro, SHBA me 4.3 milionë euro dhe Holanda me 3 milionë euro.
Franca ka dhuruar vetëm 1 milionë euro, ndërkohë që ka dhënë 60 milionë euro në formë huaje. Komisioni Europian me 115 milionë euro është donatori më i madh në absolut. Të gjitha këto para të dhuruara do të vijnë në formë grantesh.
Sa i përket parave të mundësuara në formë huaje, në krye të listës është Banka Islamike për Zhvillim me 383 milionë euro, e ndjekur nga Banka Botërore me 106 milionë euro e më pas Banka Europiane e Investimeve si dhe Banka e Zhvillimit të Këshillit Europian me nga 100 milionë euro secila.
Po të bëjmë një krahasim mes dy listave zyrtare, atë të pjesëmarrësve me atë të donatorëve vëmë re disa detaje të tjera interesante.
Monako, Maroku, Letonia, Lituania, Irlanda, Kanadaja, Izraeli, por edhe Vatikani dhe Spanja ishin të pranishëm në konferencë por nuk kanë dhënë asnjë formë donacioni për Shqipërinë për të përballuar situatën pas tërmetit të datës 26 Nëntor.
Madje edhe Maqedonia e Veriut nuk ka dhënë asnjë para në formë grantesh apo huaje, por vetëm 100 mijë euro në mallra apo shërbime.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.