Zbardhet relacioni/ Ja sa persona kanë aplikuar për rivlerësimin e pasurive e sa pritet të arkëtohen deri me 31 maj
Kuvendi ka zyrtarizuar tashmë vendimi për shqyrtimin me procedurw të përshpejtuar të projektligit për zgaten deri me 31 maj 2017 të afatit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Shtyrja argumentohet me nevojën për t’u dhënë më shumë kohë qytetarëve për të përfituar nga procesi i rivlerësimit të pasurisë me tarifë 2%.
Por sa persona kanë përfituar deri tani nga ky proces?
Referuar relacionit të nismës, nga periudha 1 shtator 2016 deri me 15 janar të vitit 2017, rezulton se numri i aplikimeve për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme në total është 22 mijë e 631 aplikime, nga të cilat 18 mijë e 538 aplikime janë paguar dhe për 4 mijë e 93 aplikime pritet të kryhet pagesa.
Ndërkohë, e përkthyer në vlerë, vlera e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme për të cilat është aplikuar (2 %) rezulton të jetë 2 116 656 572 lekë, nga të cilat 1 365 866 192 janë paguar dhe 750 790 380 pritet që të arkëtohen.
“Nga të dhënat e mësipërme vihet re se numri i personave që kanë përfituar deri tani nga ky parashikim ligjor është i ulët. Për këtë qëllim propozohet shtyrja e afatit të zbatimit të ligjit, me qëllim që t’i jepet mundësia qytetarëve për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme deri më 31 maj 2017. Vlerësojmë se afati i propozuar është optimal për përmbushjen e dispozitave të këtij projektligji” shkruhet në relacion.
Ky proces pritet të ketë efekte financiare në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin buxhetor 2017. Bazuar në të ardhurat e realizuara deri tani pritet të arkëtohen rreth 1,4 miliardë lekë nga shtyrja e zbatimit të ligjit.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.