Zbardhet vendimi/ Bastet sportive dhe kazinotë, tarifat ditore dhe ato vjetore që duhen paguar
Zbardhet tabela e plotë me tarifat ditore pa TVSH dhe tarifat me përqindje mbi xhiron vjetore që faturon organizatori për Bastet sportive, Lotarinë Kombëtare, si dhe Kazinotë elektronike. Tashmë këto subjekte do të shlyejnë tarifat sipas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, i cili ka hyrë në fuqi me botimin e tij sot në “Fletoren Zyrtare”.
Konkretisht, vendimi përcakton se për “Bastet sportive” paguhet tarifa ditore pa TVSH në vlerën 0.70 euro për çdo njësi, ku njësia është çdo qendër basti. Ndërsa tarifa me përqindje mbi xhiron vjetore që faturon organizatori është 0,5% ose (0,005).
Sa i takon “Lotarisë Kombëtare” tarifa ditore që paguhet është 1.00 euro pa TVSH për çdo njësi, ku njësia është çdo operator, ndërsa tarifa me përqindje mbi xhiron vjetore që faturon organizatori është 0.0%.
Sa i takon “Kazinove elektronike” tarifa ditore që paguhet është 1.25 euro pa TVSH për çdo njësi, ku njësia është çdo aparaturë elektronike, ndërsa tarifa me përqindje mbi xhiron vjetore që faturon organizatori është 0.0%
Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e tarifës së mirëmbajtjes së Sistemit Qendror të Monitorimit On-line, që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara.
“Ministri i Financave vazhdon procedurën për lidhjen e kontratës me shoqërinë e shpallur fituese, sipas kushteve teknike, afateve të implementimit të projektit të përcaktuara në ofertën e shpallur fituese. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi” thuhet në VKM.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.