Zbardhet vendimi-Ja si do të ndryshojnë nga data 1 qershor, 20 mijë pensionet që janë caktuar gjatë viteve 1993-1996 (Tabelat e plota)

Vendimi i Këshillit të Ministrave për ngushtimin e diferencave të pensioneve, me anë të të cilit rriten pensionet për disa mijëra pensionistë, është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare, sëbashku me tabelat përkatëse ku mund të përllogaritet sa sa do të jetë pensioni i ri.
Përllogaritjen e pensionit e përfitojnë ata që kanë dalë në pension gjatë viteve 1993-1996. Këta pensionistë, për vite të tëra kanë marrë pensione më të ulëta nga pjesa tjetër, edhe pse kanë qenë në kushte të njëjta pune. Referuar deklaratës së ministrit të Mirëqënies Sociale, shkaqet kryesore vlerësohen indeksimi i pabarabartë i masës së pensioneve prioritare dhe rritjes së pensioneve të ulëta, si dhe fakti që ligji i pensioneve që nga viti 1993 ndryshoi në mënyrë drastike mënyrën e përllogaritjes së masës së pensionit.
“Në vitet 1993-1996, pensionet e plota të pleqërisë ishin në nivel minimal dhe zinin 63% të skemës së pensioneve. Është punuar shumë me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, për të evidentuar të gjitha ato grupe që nuk kanë përfituar në mënyrë të barabartë nga skema e kontributit të sigurimeve shoqërore” deklaroi ministri Blendi Klosi pas miratimit të vendimit nga qeveria.
Personat që do të përfitojnë janë:
-Personat që trajtohen me pensione të plota të pleqërisë, të caktuara sipas pikës 31, 32 të ligjit të vitit 1993 “Për sigurimet shoqërore”, të cilët kanë dalë në pension në vitet 1993-1996, të cilët kanë pasur pensione të asaj kohe, 5% më të ulëta se pensionet e tjera.
-Do të vlerësohen pensionet për vjetërsi shërbimi për ish ushtarakët, të caktuara në bazë të nenit 40 të ligjit 4171 të vitit 1996 “Për sigurimet shoqërore të Republikës së Shqipërisë”.
-Pensionet e pleqërisë së punonjësve të nëntokës që ishin në marrëdhënie punë deri në vitet ‘95-të dhe kishin plotësuar periudhën e sigurimeve, pavarësisht nga mosha dhe kërkesat e tyre. Edhe ata përfitonin një masë më të ulët pensioni, sa ajo që përfitojnë të tjerët e po të njëjtit nivel.
-Pensionet e ish punonjësve, gra në arsim e në kulturë, të cilat dolën në pension të parakohshëm deri në vitin 1994 dhe kishin plotësuar jo më pak se 22 vite e 6 muaj, përfituan pension pleqërie vetëm 60% të pagës së asaj kohe, duke qenë dhe këto të disbalancuar në përfitimet që realizoheshin.
Nga kjo përllogaritje pritet të përfitojnë 19 mijë e 655 persona nga të cilët, 10 mijë e 355 persona të dalë në pension pleqërie në harkun kohor 1993-1996, me një shumë mesatare prej 8400 lekë në muaj; 500 ish ushtarakë, me një shumë mesatare prej 5000 lekë në muaj; 8800 minatorë dhe arsimtarë, që kanë kaluar tashmë në pension të plotë pleqërie, me një shtesë mesatare që arrin deri në vlerën e 40 mijë lekë të vjetra në muaj.
Efektet financiare të kësaj përllogaritjeje, vetëm në 6 muajt e mbetur të vitit 2016 shkojnë në vlerë 324.1 milionë lekë.
Tabela e plotë ku mund të verifikohet se si ndryshon secili pension: Kliko këtu
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.