Zbardhet vendimi/ Si do të funksionojë kontrata e sigurimit 10 vjeçar mes ndërtuesve dhe blerësve të apartamenteve

Pas tërmetit të 21 shtatorit, qeveria shqiptare ka vendosur tëmarrë një serë masash që lidhen me sigurinë e ndërtimeve. Një ndër masat e marra është edhe ndryshimi ligjor që e bën të detyrueshëm sigurimin e ndërtimeve.
Referuar vendimit të miratuar, Ndërtuesi/zhvilluesi/investitori i dorëzon blerësit, njëkohësisht me lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së ndërtesës, një kontratë sigurimi me afat 10- (dhjetë-) vjeçar me përfitues blerësin/blerësit dhe me efekt nga data e përfundimit të punimeve.
Kjo kontratë sigurimi mbulon dëmet e ndërtesës, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur, për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda.
Limiti i përgjegjësisë së kontratës së sigurimit nuk duhet të jetë më i ulët se vlera totale e çmimit të shitjes të përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë paluajtshme.
Tarifa vjetore e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.1 (zero pikë një) për qind e shumës së sigurimit/limit të përgjegjësisë së përcaktuar në kontratën e sigurimit.
Noterët lidhin kontratën për kalimin e pronësisë së ndërtesës nga ndërtuesi/zhvilluesi/investitori tek blerësi, shoqëruar me kontratën e sigurimit 10- (dhjetë-) vjeçar në favor të blerësit/blerësve të kryer nga shitësi.
Kërkesa për regjistrim në regjistrin e pasurive të paluajtshme të kontratave të kalimit të pronësisë së ndërtesës nga ndërtuesi/zhvilluesi/investitori te blerësi, shoqërohet edhe me kontratën e sigurimit 10- (dhjetë-) vjeçar në favor të blerësit/blerësve, të kryer nga ndërtuesi/zhvilluesi/investitori. Në rast mungese të kontratës së sigurimit, kërkesa për regjistrim të kontratës së kalimit të pronësisë nuk administrohet nga sporteli i shërbimeve kadastrale.
Elementet dhe kushtet e përgjithshme të kontratës së sigurimit të detyrueshëm për t’u zbatuar nga shoqëritë e sigurimit do të miratohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare pas marrjes së mendimit nga ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe ministria përgjegjëse për financat.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.