Zbehen eksportet – Qershor, rritet deficiti tregtar
Muaji qershor rezultoi i vakët për eksportet shqiptare. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, eksportet kishin vlerën e në 22.5 miliardë lekëve, në rënie me 0.3% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Megjithatë, bilanci i gjashtëmujorit të parë u mbyll pozitivisht. Eksportet prekën vlerën e 133.5 miliardë lekëve, 13.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Eksportet po udhëhiqen bindshëm nga aktiviteti i fasoneve. Grupi “tekstile dhe këpucë” përbën mbi 43% të totalit dhe po ruan një ecuri të konsoliduar gjatë viteve të fundit.
Megjithatë, përcaktues në ritmet e rritjes dyshifrore për gjysmën e parë të vitit po rezulton edhe përmirësimi i ndjeshëm në grupet “minerale, lëndë djegëse, energji”, si edhe “materiale ndërtimi e metale”.
Eksportet e lëndëve të para, si nafta bruto po rimëkëmben, pas goditjes dyvjeçare së shkaktuar nga rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Importet e mallrave rezultuan në rritje edhe gjatë qershorit, me 8% më shumë, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Për gjashtëmujorin e parë të vitit, vlera totale e importeve arriti në afro 295 miliardë lekë, afro 6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Importet janë rritur pothuajse për të gjitha grupmallrat, çka dëshmon se kërkesa e brendshme në ekonomi paraqitet e përmirësuar.
Rritja e importeve gjatë qershorit e ka zgjeruar deficitin tregtar, duke e zeruar përmirësimin që ishte shënuar në muajt e parë të vitit.
Sipas INSTAT, për gjashtë muaj, deficiti në këmbimin e mallrave ishte 162 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtën vlerë me gjysmën e parë të vitit 2016.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.