Zbehet besimi i shqiptarëve te BE, KE: Bie me 6 pikë përqindje në harkun e një viti
Ashtu si për situatën ekonomike, edhe për besimin në institucione, shqiptarët janë më optimist se europianët, tregon barometri më i fundit i publikuar nga Komisioni Europian.
Për shqiptarët besimi në parlamentin e vendit, qeverinë dhe institucionet europiane është më i lartë sesa besimi i europianëve në këto tre institucione. Më shumë se gjysma e shqiptarëve, ose më saktë 54% kanë tendencën të kenë besim te parlamenti i vendit, kundrejt 34% të europianëve.
Sa i përket qeverisë ndërkohë, kjo normë zbret lehtë në 47%, por sërish mbetet bindshëm më e lartë se besimi i europianëve, që fiksohet në 35%. Sa i përket besimit te institucionet e unionit, 69% e shqiptarëve kanë vlerësim pozitiv, ndërkohë që për europianët kjo normë fiksohet në 42%.
Por, ajo që vihet re në krahasim me raportin e vitit të kaluar, është rënia e kësaj përqindje te shqiptarët në mënyrë të ndjeshme, me plot 6 pikë përqindje, çka sinjalizon se, besimi i shqiptarëve te Europa po zbehet.
Nga ana tjetër, shqiptarët e lidhin drejtpërdrejtë anëtarësimin në union me prosperitetin ekonomik thotë sondazhi i Komisionit Europian.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.