Zbehet perspektiva e Britanisë – Zhgënjen industria dhe tregtia për muajin Maj, paundi bie
Aktiviteti i fabrikave në Britani ra papritmas për muajin Maj, prej rënies së prodhimit të makinave, gjë që do të shtojë dyshimet mbi perspektivën ekonomike në gjysmën e dytë të vitit 2017. Prodhimi i fabrikave ra me 0.2% në muajin Maj, duke përmbysur rritjen e muajit Prill, tregon zyra Kombëtare e Statistikave. Prodhimi industrial, një tregues më i gjerë, ra gjithashtu me 0.1%.
Të dhënat për fabrikat u dobësuan nga rënia me 4.4% për muajin në prodhimin e automjeteve, që është rënia më e madhe në 1 vit. Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar u ngadalësua në fillim të 2017-ë, pasi përballoi më herët efektet e daljes nga Bashkimi Europian. Konsumatorët, që përbëjnë nxitësin kryesor të rritjes ekonomike, kanë reduktuar shpenzimet e tyre prej rritjes së shpejtë të inflacionit.
Të dhëna të tjera mbi tregtinë ishin gjithashtu zhgënjyese. Bilanci tregtar rezultoi në një deficit prej 11.863 miliardë paund në Maj, në rritje nga 10.595 miliardë që ishte në muajin e kaluar, raporton zyra e Statistikave. Tregtia me vendet jashtë Bashkimit Europian rezultoi gjithashtu në një deficit prej 3.8 miliardë, nga 2.62 miliardë që ishte në Prill.
Edhe të dhënat për ndërtimin ishin shumë poshtë projeksioneve. Prodhimi në sektorin e ndërtimit ra me 1.2% nga muaji i kaluar. Paundi u tërhoq direkt pas publikimit të të dhënave. Kundër dollarit, valuta britanike ra nga 1.2978 në 1.2913.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.