Zbulimi i madh diellor/ Shkencëtarët: Energjia tani mund të ruhet deri në 18 vjet!

Pajisjet elektronike me energji diellore janë një hap më afër për t’u bërë pjesë e përditshme e jetës sonë falë një zbulimi të ri shkencor “radikal”. Në vitin 2017, shkencëtarët në një universitet suedez krijuan një sistem energjie që bën të mundur kapjen dhe ruajtjen e energjisë diellore deri në 18 vjet, duke e çliruar atë si nxehtësi kur nevojitet.
Tani studiuesit kanë arritur që sistemi të prodhojë energji elektrike duke e lidhur atë me një gjenerator termoelektrik. Megjithëse ende në fazat e tij të hershme, koncepti i zhvilluar në Universitetin e Teknologjisë Chalmers në Gothenberg mund të hapë rrugën për elektronikë vetë-karikuese që përdorin energjinë e ruajtur diellore sipas kërkesës.
“Kjo është një mënyrë rrënjësisht e re për të gjeneruar energji elektrike nga energjia diellore. Kjo do të thotë që ne mund të përdorim energjinë diellore për të prodhuar energji elektrike pavarësisht nga moti, koha e ditës, sezoni apo vendndodhja gjeografike,” shpjegon udhëheqësi i kërkimit Kasper Moth-Poulsen, profesor në Departamentin e Kimisë dhe Inxhinierisë Kimike në Chalmers.
“Jam shumë i emocionuar për këtë punë,” shton ai. “Shpresojmë se me zhvillimin e ardhshëm kjo do të jetë një pjesë e rëndësishme në sistemin e ardhshëm energjetik.” E bukura e këtij sistemi të mbyllur rrethor është se funksionon pa shkaktuar emetim CO2, që do të thotë se ka potencial të madh për t’u përdorur me energji të rinovueshme.
Raporti i fundit i Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (IPCC) e bën jashtëzakonisht të qartë se ne duhet të rrisim burimet e rinovueshme dhe të largohemi nga karburantet fosile shumë, shumë më shpejt për të siguruar një të ardhme të sigurt klimatike.
Ndërsa përparimet e rëndësishme në energjinë diellore si kjo japin arsye për shpresë, shkencëtarët paralajmërojnë se do të duhet kohë që teknologjia të integrohet në jetën tonë. Mbeten shumë kërkime dhe zhvillime përpara se të jemi në gjendje të karikojmë pajisjet tona teknike ose të ngrohim shtëpitë tona me energjinë diellore të ruajtur të sistemit, theksojnë ata.
“Së bashku me grupet e ndryshme kërkimore të përfshira në projekt, ne tani po punojmë për të përmirësuar sistemin,” thotë Moth-Poulsen. “Sasia e energjisë elektrike ose nxehtësisë që mund të nxjerrë duhet të rritet.” Ai shton se edhe pse sistemi bazohet në materiale të thjeshta, ai duhet të përshtatet në mënyrë që të jetë me kosto efektive për t’u prodhuar përpara se të mund të lançohet më gjerësisht.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.