Zbulohet perla 8 mijë vjeçare – Ja cili është mesazhi që fsheh për tregtinë
Perla 8 mijë vjeçare e zbuluar së fundmi, që do të ekspozohet pikërisht në Abu Dhabi, është prova që objektet janë tregtuar që nga koha e neolitit, janë shprehur autoritetet dhe ekspertë të fushës të cilët e kanë cilësuar atë edhe si më të vjetrën të gjendur deri më sot.
Perla natyrale u gjet në dyshemenë e një dhome të zbuluar gjatë gërmimeve në ishullin Marawah, jashtë kryeqytetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke zbuluar kështu edhe arkitekturën më të hershme të gjetur në vend.
“Shtresat nga të cilat erdhi perla ishin prej karboni të datuar 5800-5600 vjet para Krishtit, gjatë periudhës neolitike,” bëri me dije Departamenti i Kulturës dhe Turizmit në Abu Dhabi.
“Zbulimi i perlës më të vjetër në botë në Abu Dhabi e bën të qartë se një pjesë e madhe e historisë sonë ekonomike dhe kulturore ka rrënjë të thella që shtrihen deri tek prehistoria,” tha kryetari i saj Mohamed Al-Muabarak.
“Perla e Abu Dhabi” do të shfaqet për herë të parë në ekspozitën “10,000 vjet luks” e cila do të hapet më 30 tetor në Louvre Abu Dhabi.
Ekspertët e Emirateve besojnë se perlat u tregtuan me Mesopotaminë (Irakun e Lashtë), në këmbim të qeramikës dhe mallrave të tjera.
“Tregtari venecian i xhevahireve Gasparo Balbi, i cili udhëtoi nëpër rajon, përmend ishujt në brigjet e Abu Dhabi si një burim perlash në shekullin e 16-të”, tha departamenti i kulturës.
Industria e perlave dikur mbështeste fuqishëm ekonominë e Emirateve të Bashkuara Arabe, por ajo pësoi një zhdukje gjatë viteve 1930 me ardhjen e perlave japoneze duke tronditur për pasojë edhe ekonomitë globale.
Kështu vendet e Golfit u kthyen tek industria e naftës e cila dominon ekonomitë e tyre edhe sot e kësaj dite. (AFP)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.