Zbuten protestat në Francë! Macron do të detyrojë liderët e bizneseve që të paguajnë taksa
Qeveria e Presidentit francez Emmanuel Macron, po sulmon ekzekutivët e bizneseve që shmangin pagimin e taksave në Francë, në përpjekje për të qetësuar protestuesit. Qeveria franceze po mbikëqyr situatën tatimore të liderëve të biznesit dhe do të marrë masa për t’i detyruar ata që të paguajnë taksat, sipas Ministrit të Buxhetit, Gerald Darmanin.
“Krerët e bizneseve të listuara apo bizneseve në të cilat shteti zotëron aksione, duhet të jenë patjetër taksapagues francez”, tha ai. Rritja e mbikëqyrjes tatimore përbën përpjekjen e fundit të Macron që të qetësojë “jelekët e verdhë” mbi pabarazinë dhe koston e lartë të jetesës.
Përveç uljes së taksave për ekonomitë familjare me të ardhurat e ulëta, Macron ka bërë gjithashtu thirrje ndaj kompanive që të paguajnë bonuse të veçanta për fundvitin. Qeveria i ka rezistuar kërkesave të protestuesve që të rivendosë taksën e pasurisë, të cilën Macron e hoqi kur u bë president.
Darmanin tha se detyrimi i krerëve të bizneseve që të paguajnë taksa në Francë duhet të inkurajojë një sjellje më qytetare. Megjithatë, detyrimi i të gjithë ekzekutivëve që të paguajnë taksa në Francë mund të mos jetë aq e thjestë, për shkak se mund të kërkojë rinegocimin e konventave tatimore. Ekzistojnë shenja që protestat po tërhiqen. E Shtuna e shtatë e protestave në kryeqytet tërhoqi vetëm 800 njerëz në vende të ndryshme. Ndërkohë që uljet e taksave për familjet bëhen efektive në Janar, Macron ka premtuar gjithashtu një debat kombëtar mbi demokracinë dhe shpenzimet publike. Qeveria synon se do të qetësojë protestuesit dhe rindërtojë besimin në institucionet e vendit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.