Zbutet inflacioni – Rritje më e ulët edhe për indeksin e harmonizuar

Rritja e çmimeve për muajin korrik rezultoi më e moderuar edhe në indeksin e harmonizuar me vendet e tjera europiane.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit zbriti në 3%, nga 3.7% që kishte qenë për qershorin. Megjithë rënien, ky nivel ngelet ndër më të lartët në Europë. Krahasuar me vendet anëtare të Bashkimit Europian, Shqipëria renditet e treta për rritjen vjetore të çmimeve, pas Lituanisë dhe Estonisë.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ngelet më i lartë në raport me indeksin e brendshëm të çmimeve të konsumit, i cili paraqet dhe normën zyrtare të inflacionit. Megjithatë, të dy treguesit në muajt e fundit kanë një tendencë të ngjashme në rënie. Për korrikun, inflacioni zbriti në nivelin 2%.
Nivelet më të larta të indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit në Shqipëri i detyrohen kryesisht grupit të ushqimeve, që ka kontribuar me 2.74 pikë përqindjeje në rritjen me 3% të muajit korrik.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit jep ecurinë krahasuese të çmimeve me pakicë mes vendeve europiane dhe mbulon shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve.
Ndërsa, në indeksin e çmimeve të konsumit, mbulohen vetëm shpenzimet e familjare private shqiptare të kryera brenda dhe jashtë territorit të vendit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.