Zelenskiy, apel për rritjen e prodhimit energjetik – “Asnjë vend nuk mund ta përdorë energjinë për të shantazhuar botën”
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u bëri thirrje vendeve prodhuese të energjisë që të rrisin prodhimin në mënyrë që Rusia të mos përdorë pasurinë e saj të naftës dhe gazit për të “shantazhuar” kombet e tjera. Duke iu drejtuar konferencës ndërkombëtare të Forumit të Doha-s përmes lidhjes video, Zelenskiy tha se vende të tilla si Katari mund të japin një kontribut në qëndrueshmërinë e Europës.
“Ata mund të bëjnë shumë për të rivendosur drejtësinë. E ardhmja e Europës varet nga përpjekja juaj. Unë ju kërkoj të rrisni prodhimin e energjisë për të siguruar që të gjithë në Rusi të kuptojnë se asnjë vend nuk mund ta përdorë energjinë si armë dhe të shantazhojë botën,” deklaroi Zelenskiy.
Pushtimi mëse njëmujor i Ukrainës nga Rusia, furnizuesi kryesor i Europës me gaz, ka rritur shqetësimet për ndërprerjen e furnizimit me energji dhe ka shtuar kontrollin e mbështetjes së vendeve të Bashkimit Europian në lëndët djegëse fosile të importuara.
Zelenskiy tha gjithashtu se asnjë vend nuk është i siguruar nga goditjet e ndërprerjes në furnizimin me ushqime që ndodhin për shkak të pushtimit rus të vendit të tij. Ukraina është një nga prodhuesit më të mëdhenj të grurit në botë.
“Tregjet botërore nuk kanë kaluar ende pasojat e pandemisë nga goditjet e çmimeve të ushqimeve. Askush nuk është i siguruar nga këto goditje dhe nuk mund të siguroheni nëse ka mungesë fizike ushqimore. Trupat ruse po shkatërrojnë fushat e mbjella në Ukrainë”, tha ai.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.