Zero progres me lirinë ekonomike – “Heritage”: Përmirësim i shëndetit fiskal në kurriz të qytetarëve e biznesit
Shqipëria renditet në vendin e 65-të në botë, ndër 180 ekonomi, në “Indeksin e Lirisë Ekonomike 2018”, që publikohet çdo vit nga Fondacioni Heritage.
Në rajon, Shqipëria është më mirë në renditje se Serbia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi, ndërkohë që Kosova dhe Maqedonia performojnë më mirë.
Në krahasim me një vit më parë, renditja është po e njëjta, ndërkohë që në pikëzim ka një përmirësim minimal me 0.1 pikë.
Indeksi i përgjithshëm llogaritet mbi bazën e 12 nën-indikatorëve të tjerë. Vendi ynë performon më keq në atë të lirisë së punës, efikasitetit të gjyqësorit dhe të drejtave të pronës.
Shqipëria ka bërë një progres dramatik në drejtim të shëndetit fiskal thuhet në profilin dedikuar vendit tonë në këtë raport. Kjo gjë ka zbehur disi performancën e dobët të gjyqësorit dhe atë të barrës së taksave por edhe një rënie të ndjeshme të lirisë së biznesit. Shqipëria është e 32 në Europë, ndër 44 shtete, dhe nën mesataren e kontinentit, thuhet më tej.
Në Shqipëri ka pasur progres të ndjeshëm ndër vite, por duhen më shumë reforma, sidomos në drejtim të sundimit të ligjit, për të nxitur në këtë mënyrë lirinë ekonomike duke siguruar edhe zhvillimin ekonomik, vijon më tej raporti.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.