Zerohet fitimi i bizneseve me Euro, Zusi: Zhvlerësimi, dëm i parikuperueshëm në sektorët më dinamikë
Ndërsa monedha e përbashkët europiane vijon rënien, bizneset që punojnë me Euro raportojnë një dëm të madh ekonomik, deri në zerim total të fitimit të tyre.
Kreu i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi shprehet se llogaritet një humbje të të ardhurave, në rreth 14-15 për qind. Ndërsa dëmi në buxhetin e shtetit për të gjithë vitin llogaritet rreth 10 miliardë lekë.
Zusi u bën apel institucioneve kompetente që të marrin masa për parandalimin e zhvlerësimit të Euros.
Eksportuesit janë ata që preken më së shumti nga trendi rënës i Euros. Për periudhën Janar-Tetor 2018, Shqipëria eksportoi mallra në vlerën e afro 262 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 16%.
Grupi që dominon gjithnjë e më shumë eksportet shqiptare është “tekstile dhe këpucë”, me eksporte në vlerën e 104 miliardë lekëve ose rreth 825 milionë euro. Fasonet po lulëzojnë më shumë se kurrë dhe sjellin mbi 40% të eksporteve totale të Shqipërisë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.