Zgjedhjet e 25 qershorit, Gjermania ofron 13 mijë Euro – Mbështet KQZ me pajisje teknike
Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri në datën 25 qershor 2017, Gjermania mbështet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me pajisje teknike për të minimizuar rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve. Plot 13.000 euro do të vihen në dispozicion të Drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të siguruar një “firewallrouter” dhe stabilizator tensioni. Këto pajisje mendohet se do të garantojnë që transmetimi i të dhënave nga stacionet e numërimit të votave në qarqet elektorale drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të funksionojë edhe në rast ndërprerjeje të energjisë elektrike, si dhe të mbrohet nga sulme eventuale të piraterisë kompjuterike.
“Zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme është një test i rëndësishëm dhe një gur kilometrik në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE”, u shpreh Ambasadorja Schütz në datën 23 qershor 2017, gjatë nënshkrimit të kontratës së bashkëpunimit me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri.
“Për ne është kënaqësi të mund të mbështesim Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me pajisje teknike, për të garantuar vijimësinë pa probleme të procesit zgjedhor dhe – përtej vëzhgimit të këtij procesi nga OSBE/ODIHR – një mbikëqyrje të kujdesshme teknike të dhënies së votës dhe numërimit të saj”, citohet Ambasadorja Schütz.
Më tej Ambasadorja Schütz u bëri thirrje të gjithë qytetareve dhe qytetarëve me të drejtë vote të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të marrin pjesë në zgjedhje. Financimi i akorduar prej palës gjermane në vlerën e 13.000 eurove buron nga fondi special që Qeveria Federale ka vënë në dispozicion për Paktin e Stabilitetit në funksion të garantimit të paqes në Evropën Juglindore. Krahas kësaj Qeveria Federale Gjermane ndjek me shumë vëmendje procesin zgjedhor dhe mbështet misionin e vëzhgimit të OSBE/ODIHR me 2 vëzhgues afatgjatë dhe 32 afatshkurtër.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.