Zgjedhjet e Majit në Europë – PE: Qendra e djathtë do kryesojë përsëri. Pritet rritje e euroskeptikëve
Një sondazh i Parlamentit Europian tregoi se qendra e djathtë do të qëndrojë grupi më i madh pas zgjedhjeve në muajin Maj, ku pritet gjithashtu një rritje e anëtarëve të së djathtës ekstreme.
Aleanca CDU/CSU e kancelares gjermane Angela Merkel, do të qëndrojë partia e vetme më e madhe me 29 vende, ndjekur me një diferencë të vogël nga grupi i së djathtës ekstreme në Itali, Liga, që po qeveris Romën. Kjo e fundit, me 27 vende, pritet të reflektojë një fuqizim të ndjesisë nacionaliste kundër lëvizjeve pro-Bashkimit Europian në Europë.
Këto do të jenë zgjedhjet më të rëndësishme në Bashkimin Europian, që kur janë mbajtur për herë të parë në 1979, sipas zëdhënësit të Parlamentit, Jaume Duch. Ndërkohë që partitë tradicionale pritet të qëndrojnë dominuese, rritja me rreth 40% e radikalëve të së djathtës, në 14% të vendeve në parlamentin europian, mund të sjellë pasiguri në politika.
Partia Popullore Europiane (EPP), ku bën pjesë Merkel, do të marrë 183 nga 705 vende, apo 26% në parlamentin e ri. Kjo vjen në rënie nga 29% që ka aktualisht, sipas të dhënave të sondazheve në 27 vendet anëtare. Kjo do të sjellë rënie në 135 vendet që kanë Demokratët dhe Socialistët e Qendrës së Majtë, duke zbritur në 19%, pjesërisht për shkak të humbjes së vendeve pas Brexit, ndërkohë që Parlamenti do të tkurret nga 751 vende.
Dalja e Britanisë do të godasë Konservatorët, duke e çuar grupin në vend të pestë nga i treti. Dy grupe euroskeptike të së djathtës ekstreme do të kenë rritje të prezencës me 14% nga 10%, pavarësisht humbjes së mbështetësve të Brexit. Kjo reflekton rritjen nga Liga e Italisë, që do të shtojë 21 vende, Alternativa për Gjermaninë, që do të shtojë 11 dhe Lëvizja Nacionaliste e Le Pen, që do të kontribuojë me 6, nëse rezultatet dalin sipas sondazheve. Megjithatë, priten bashkime të reja të grupeve ekzistuese pasi vota të përfundojë më 26 Mars, deri sa parlamenti të formohet më datë 2 Korrik.
Një pasojë e pasigurive në përbërjen e parlamentit, mund të vonojë caktimin e një ekzekutivi të ri. Liderët kombëtar duhet të nominojnë një pasardhës të Jean-Claude Juncker në fund të muajit Qershor. Më pas, politikanët duhet të konfirmojnë kandidatin në Korrik, në mënyrë që një Komision i ri me kandidatë nga 27 vendet anëtare të caktohet më 1 Nëntor.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.