Zgjedhjet lokale, LDK rikthehet si forcë e parë – Në Prishtinë, do të ketë balotazh mes Ahmetit dhe Abrashit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë vijon numërimin e votave, pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale të ditës së diel, ku qytetarët votuan për kryetarët e komunave.
Sipas rezultateve paraprake, duket se një pjesë e mirë e komunave do t’u drejtohen një raundi të dytë votimi, pasi asnjë prej kandidatëve nuk arriti të merrte mbi 50% të votave.
Në Prishtinë, komunën më të madhe të vendit, kryetari aktual Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje arriti të sigurojë 43.42%, ndërsa pritet të shkojë në balotazh në raundin e dytë përballë kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, i cili grumbulloi 35.91% të votave.
Sa i takon votave të marra në rang vendi, LDK ka arritur të rikthehet si partia më e madhe në vend, duke rritur ndjeshëm votat e marra, krahasuar me zgjedhjet e shkuara parlamentare.
Në komunat e tjera rezultatet janë si më poshtë:
Në Deçan, AAK fiton 63.91% të votave dhe Bashkim Ramosaj shpallet kryetari i komunës.
Në Gjakovë është përsëri AAK me kandidatin Ardian Gjini që ka fituar numrin më të madh të votave, por do të shkojë në balotazh përballë kandidates Mimoza Kusari Lila, e Alternativës, e cila mori 31.5% të votave.
Në Gllogovc, Ramiz Lladrovci nga PDK fiton zgjedhjet me 59,34% të votave
Në Gjilan do të ketë balotazh mes LDK dhe Vetëvendosjes.
Në Dragash LDK do të konkurrojë në një raund të dytë përballë PDK-së.
Në Istog, raundi i dytë do të vendosë përballë kandidatët e LDK dhe AAK.
Në Kaçanik, PDK do të përballet sërish me LVV.
Në Klinë, gara do të jetë e fortë mes PDK, AAK dhe LDK.
Në Fushë Kosovë, LDK arrin të fitojë garën për komunën me 63,41% të votave.
Në Kamenicë LVV dhe LDK do përballen në balotazh.
Në Mitrovicën e Jugut do të ketë një raund të dytë mes PDK dhe Aleancën Kosova e Re
Në Leposaviq, Zoran Todic nga Lista Serbe shpallet fitues.
Në Lipjan, kandidati i LDK fiton me 59,57% të votave.
Në Novobërdë është përsëri një kandidat i Listës Serbe që fiton komunën.
Në Obliq AAK është shumë pranë sigurimit të fitores, në të kundërt do të shkojë në balotazh me LDK.
Në Rahovec do të ketë një raund të dutë mes AAK dhe PDK.
Në Pejë, shpallet kryetar komune Gazmend Muhaxheri nga LDK me një rezultat të ngushtë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.