Zgjedhjet lokale në Kosovë, misioni i BE-së vlerëson procesin
Misioni i Bashkimit Evropian nuk ka vërejtur parregullsi të mëdha gjatë zgjedhjeve lokale në Kosovë, të mbajtura më 19 nëntor. Shefi i këtij misioni, Alojz Peterle prezantoi sot rezultatet për zgjedhjet lokale, ku tha se “këto ishin zgjedhje me konkurrencë shumë të fortë”.
Ai ka njoftuar se në ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit e këtij misioni kanë vizituar 292 vendvotime, ku “hapja dhe votimi ishin kryesisht të qeta dhe u zhvilluan në mënyrë të rregullt”.
“Numërimi kryesisht u zhvillua në mënyrë transparente dhe efikase. Megjithatë, disa aspekte të rëndësishme të procesit të votimit dhe numërimit duhet të adresohen në mënyrë që të përmirësohet edhe më tej procesi në ditën e zgjedhjeve”, ka njoftuar ky mision.
Peterle po ashtu ka thënë se edhe fushata ka kaluar në një atmosferë kryesisht të qetë.
Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve kishte më shumë se 70 vëzhgues në tërë Kosovën në ditën e zgjedhjeve. Ata vinin nga 25 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe nga Norvegjia e Zvicra.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.