Zgjedhjet në Gjermani – Sondazhet flasin për Merkel dhe CDU
Mbështetja për partinë konservatore të kancelares Angela Merkel ka arritur pikën më të lartë në dy vitet e fundit në landin e Nordrhein-Westfalen, që është edhe landi më i populluar në Gjermani, me pothuajse 18 milionë banorë.
Një sondazh i publikuar ditën e Diel, tregoi se Unioni i Kristian-Demokratëve, CDU fitoi 4 pikë përqindje dhe mbërriti në 34%, duke u barazuar me SocialDemokratët, të cilët humbën 3 pikë përqindje.
Ky është rezultati më i mirë për CDU nga dhjetori 2015 dhe është hera e parë që dy partitë janë kokë më kokë, prej tetorit të kaluar, kur kishin 31% të mbështetjes në sondazhe.
Landi aktualisht qeveriset nga koalicioni i SPD me partinë e Gjelbër, por nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, ky koalicion nuk do të kishte mjaftueshëm vota për të qeverisur.
Nëse flasim për numrat në të gjithë Gjermaninë, partia e Merkel ka 36% të mbështetjes, ndërsa SPD e Schulz, vetëm 31%. Edhe partnerët kryesorë të SPD, kanë patur rënie të konsiderueshme.
Mbështetja për të gjelbërit ka rënë në pikën më të ulët në 15 vite, tregojnë sondazhet e tjera dhe në këtë mënyrë zbehen gjasat për një koalicion të majtë që të mund të rrëzojë kancelaren Merkel në zgjedhjet e Shtatorit.
Këto sondazhe ngrenë dyshime për “efektin Schulz”, pasi pas një rritjeje të madhe të mbështetjes ndaj partisë pas emërimit të tij si kandidat për kancelar, numrat për SPD janë në stanjacion.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.