Zgjedhjet në Japoni – “Abenomics” pritet të vazhdojë, sondazhet tregojnë për fitoren e Shinzo Abe
Koalicioni i Kryeministrit të Japonisë Shinzo Abe pritet të marrë një fitore të madhe në zgjedhjet e ditës së Diel, tregojnë sondazhet, duke i dhënë një energji të re për të arritur objektivat e rishikimit të kushtetutës pacifiste.
Koalicioni i drejtuar nga Partia Liberal Demokrate e Shinzo Abe, pritet të fitojë 311 vende në dhomën e ulët të Parlamentit me 465 anëtare, duke mbajtur “super mazhorancën” me 2/3-tat e vendeve.
Fitorja e Shinzo Abe, do të krijonte mundësinë e vazhdimit të politikave monetare lehtësuese dhe stimujve fleksibël fiskal, të quajtur “Abenomics”, që kanë ndihmuar ekonominë e dytë më të madhe në Azi dhe të tretën në Botë, për t’i bërë ballë problemeve me arritjen e objektivave monetarë që nisën që në vitin 1991 (lost decade). Kjo do t’i jepte gjithashtu Donald Trump një partner të besueshëm për t’i bërë ballë kërcënimeve nga Korea e Veriut.
Abe, bëri thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve muajin e kaluar, 1 vit përpara afatit, duke thënë se do të testojë opinionin publik mbi propozimet për të rialokuar disa të ardhura nga plani për të rritur taksën mbi shitjen, për të financuar edukimin si dhe për të vonuar lëvizjet mbi trajtimin e borxhit gjigant publik të Japonisë.
Me thuajse 5 vite në detyrë, Abe ka mbrojtur arritjet e tij në ekonominë e vendit, me normën e papunësisë që qëndron në më pak se 3% dhe tregun e titujve të kapitalit që ka arritur në nivelet më të larta në 2 dekada. Stimujt gjigant monetar kanë dobësuar jenin dhe nxitur eksportet e vendit, megjithatë, kanë pasur sukses të limituar në mposhtjen e deflacionit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.