Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit/ Rreth 3,6 milionë shtetas me të drejtë vote, 107 mijë votojnë për herë të parë

Ditën e sotme mbahen zgjedhjet e përgjithshme, nga të cilat do të dalë parlamenti i ri për katër vitet e ardhshme. 5.199 qendrat e votimit janë hapur në orën 07.00 dhe të drejtën e votës sipas të dhënave të gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, e kanë 3,588,869 shtetas shqiptarë.
Të ndarë sipas qarqeve, Tirana numëron 910 494 zgjedhës, Fieri me 403 220, Durrësi me 358 730 zgjedhës, ndërsa qarku me më pak zgjedhës është Kukësi me 83 027. 50.5 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49.5 % janë femra, ndërsa 107,024 zgjedhës votojnë për herë të parë. Zyrtarisht, 1,098 shtetas nuk janë papërfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit, ndërsa rreth 25 mijë të infektuari me COVID, të cilët janë të izoluar në banesat e tyre nuk mund të jenë pjesë e votimit.
Maska do të jetë e detyrueshme, ashtu si kurse është edhe në përditshmëri, e ndërsa në ndryshim nga vitet e kaluara, në çdo Qendër votimi do të jetë 1 person i cili ka për detyrë që të vëzhgojë respektimin e masave anti-COVID. Në çdo qendër votimi, nuk do të lejohet prania e më shumë votuesve sesa numri i dhomave të fshehta për votim, plus 2 persona që po regjistrohen.
Dhomat e fshehta duhet të ruajnë një distancë prej 1.5 m nga njëra-tjetra, e ndërsa po kaq duhet të qëndrojnë larg edhe anëtarët e KQV-së dhe vëzhguesit. Monitorimi me kamera i 5199 Qendrave të Votimit, sipas KQZ-së do të jetë garanci e shtuar në parandalimin e paligjshmërive, si fotografimi i votës, votimi familjar, votimi më shumë se një herë, etj. Shtetasit shqiptarë do të votojnë me një fletë të vetme votimi, për subjektin politik dhe kandidatin për deputet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.