Zgjedhjet parlamentare 2017, votojnë krerët e shtetit. Mesazhet që japin për qytetarët

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ushtruar të drejtën e tij të votës mëngjesin e sotëm në shkollën “Fan. S. Noli”.
Konkretisht, Veliaj i shoqëruar nga bashkëshortja e tij ka votuar rreth orës 08:50, ku më pas në një prononcim për mediat kryebashkiaku u shpreh:
“Sot është dhe festa e demokracisë. Do kërkoja një nder të fundit në fushatë, të ketë sa më shumë pjesëmarrje. Do të doja ta mbyllim me nder këtë proces. Katër minuta në ditën e sotme caktojnë drejtimin e Tiranës, drejtimin e Shqipërisë punët e nisura, reformat që kanë nisur në katër vitet e ardhshme”, tha Veliaj.
Kreu i LSI, Vasili: Sot është dita e çlirimit
Kreu i LSI ka ushtruar të drejtën e tij të votës në kopshtin numër 31 të njësisë 5 në kryeqytet. Menjëherë pas votimit në fjalën e tij para gazetarëve Vasili tha se sot është dita e çlirimit nga të gjitha pikëpamjet dhe populli shqiptar do të dijë të bëjë diferencën.
“Sot është dita e çlirimit nga të gjitha pikëpamjet. Besoj shumë që mençuria e një populli të vjetër si yni që gjithmonë ka bërë diferencën mes gjithë të tjerëve do të bëjë diferencën edhe sot për një të ardhme jo vetëm më të ndritur, më të mirë dhe më me shpresë, por dhe krijimin e asaj hapësirë që të gjithë presin, në mënyrë të veçantë të rinjtë e Shqipërisë. Uroj dhe shpresoj të jetë një proces i qetë, të kemi maturinë e duhur. Shpresoj të kemi një proces të mençur dhe një votim të mençur”, tha Vasili.
Zgjedhjet, Nishani: Ta bëjmë demokracinë funksionale
Kreu i Shtetit, Bujar Nishani, u bëri një thirrje sot qytetarëve shqiptarë të bëjnë demokracinë funksionale, duke ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.
“Dua tu uroj të gjithë shqiptarëve ditën e mbarë sot, të jetë një ditë me pjesëmarrje sa më të madhe. Mesazhi im është se megjithëse demokracia jonë ka sfida të shumta, besoj se nëse shqiptarët vendosin që demokracia të funksionojë ajo funksionon. Dita e sotme është mundësia që shqiptarët të tregojnë se demokracia funksionon së pari përmes pjesëmarrjes dhe natyrisht përmes vendimit për një të nesërme më të mirë. Sot është një ditë e shenjtë dhe uroj që Zoti të ndriçojë mendjen e gjithësecilit të marrë një vendim që ata mendojnë se e nesërmja përmes këtij vendimi të jetë më e mirë për ta, familjet e tyre dhe gjithë shqiptarët”.
Berisha: Qytetarët të përcaktojnë fatin e tyre për katër vitet e ardhshme. Të vendosin për ndryshimin që meritojnë
Ish- kryeministri Berisha pasi ka ushtruar të drejtën e votimit iu ka bërë thirrje qytetarëve që të përcaktojnë fatin e tyre për katër vitet që vijnë dhe të përcaktojnë ndryshimin që meritojnë.
“Qytetarët të përcaktojnë fatin e tyre për katër vitet e ardhshme. Të vendosin për ndryshimin që meritojnë. Ftoj qytetarët të ngrihen në lartësinë e guximit dhe besimit te tyre, në mënyrë që të bëjnë të triumfojë vullneti i tyre. Unë ndihem më i gëzuar se asnjëherë”
Meta: Shqiptarët të tregojnë se liria dhe e ardhmja e tyre nuk ka asnjë çmim
Pasin ushtroi të drejtën e votës kreu i Kuvendit Ilir Meta pati një mesazh për qytetarët se për kë nuk duhet të votojnë sot.
“Nuk kam asnjë mesazh për kë ata duhet të votojnë por kam një mesazh për çfarë ata nuk duhet të votojnë. Ata duhet të votojnë kundër kujtdo që bën presion mbi lirinë e vullnetit të tyre, duhet të votojnë me ashpërsinë më të madhe kundër kujtdo që kërkon të blejë të ardhmen e tyre. Sot shqiptarët duhet të tregojnë dhe do të tregojnë se liria dhe e ardhmja e tyre nuk ka asnjë çmim, se e ardhmja e fëmijëve të tyre është gjëja me shenjtë për ta sot në këtë ditë të shenjtë për të gjithë”.
Meta u bëri thirrje qytetarëve të ndëshkojnë me votë sekserët që kërkojnë të blejnë me para dinjitetin dhe të ardhmen e tyre.
Pas votimit nënkryetarja e LSI, Monika Kryemadhi bëri një apel për qytetarët:
“U them të gjithë të drejtohen drejt qendrave të votimit dhe të votojnë pasi ky është momenti që ata të shprehin të gjitha kërkesat, apo padrejtësitë që u janë bërë përmes votës”.
Rama: Besimplotë që do të kemi një ditë shumë të bukur sot
Kryeministri Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij ka ushtruar sot të drejtën e votës rreth orës 11:00. Menjëherë pas daljes nga Qendra e Votimit, Rama ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Bajramit, ku ndër të tjera u shpreh se:
“Unë jam shumë besimplotë që do të kemi një ditë shumë të bukur sot”.
Basha: Merrni pjese në votime nuk keni pse ndiheni të përjashtuar
Kreu i PD Basha pasi ka ushtruar të drejtën e votës, iu ka bërë thirrje qytetarëve të mos mungojnë në këtë vendimmarrje të madhe, ku sipas tij vetëm përmes votës mund të ndryshoni Shqipërinë.
“Sot është dita kur merret vendimi nga shqiptarët, mos mungoni në këtë vendimmarrje të madhe. Vetëm përmes votës mund të ndryshoni Shqipërinë. Këtë mesazh e kam edhe për të zhgënjyerit që nuk shohin shpresë nga politika. Kjo është një mundësi për te ndryshuar vendin. Vetëm me votën tuaj mund te ndryshoni Shqipërinë, ndaj mos mungoni në votime. Ju do të vendosni për katër vitet e ardhshme, merrni pjese në votime nuk keni pse ndiheni te përjashtuar nga kjo garë.”
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.