Zgjedhjet vendore të 30 Qershorit – Publikohet lista përfundimtare e votuesve
Ministria e Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019.
Sipas njoftimit nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,536,015 shtetas shqiptarë. Nga këto shtetas, më shumë se 132 mijë zgjedhës votojnë për herë të parë, 51 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49 % femra.
Ministria e Brendshme tha se lista përfundimtare e zgjedhësve ka përmirësime të dukshme në raport me zgjedhjet e kaluara, qoftë ato për pushtetin vendor të vitit 2015, ashtu edhe ato parlamentare të vitit 2017.
Sipas njoftimit, për herë të parë u arrit të zbardheshin adresat e sakta për rreth 285 mijë zgjedhës, të cilët në vend të adresës së vlefshme kishin kodet 999, 888 dhe 000 në listën zgjedhore, duke i eliminuar këto kode.
Megjithatë, në listën e përditësuar janë hequr publikimet dhe votuesit mbi 100-vjeçarë, si dhe emrat e personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të ‘Dekriminalizimit’.
Ministria e Brendshme tha se i gjithë procesi i hartimit të Listës Përfundimtare të Zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve teknicienë të KQZ-së, të cilët kanë pasur akses të plotë në çdo etapë të këtij procesi.
Ministria ka nënvizuar se ky proces ka nisur në zbatim të dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”. Më pas është hartuar dhe miratuar Udhëzimi nr.295/1, i datës 06.11.2018 “Për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore”.
Sipas njoftimit, hapat e procesit ishin:
– ekstrakti i parë i përbërësve zgjedhor u publikua më datën 4 dhjetor 2018;
– ekstrakti i dytë i përbërësve zgjedhor u publikua më datën 3 janar 2019;
– ekstrakti i tretë i përbërësve zgjedhor u publikua më datën 1 shkurt 2019;
– ekstrakti i katërt i përbërësve zgjedhor u publikua më datë 1 mars 2019;
– ekstrakti i pestë i përbërësve zgjedhor u publikua më datë 29 mars 2019;
– ekstrakti i gjashtë i përbërësve zgjedhor u publikua në datë 28 prill 2019.
Lista përfundimtare përmbyll procesin e hartimit dhe shpalljes së Listës së Zgjedhësve. Ministria e Brendshme tha se DPGJC, do të përmbushë edhe në vazhdimësi çdo detyrim ligjor që rrjedh në bazë të Kodit Zgjedhor, për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.