Zgjerohen varrezat e Durrësit/ Miratohet vendimi për 17.5 milionë lekë shpronësime

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi territorial i varrezave të qytetit të Durrësit”.
Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Durrës.
“Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, për pasurinë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 17 milionë e 543 mijë lekë.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit do të përballohet nga buxheti i Bashkisë Durrës për vitin 2021.
Shpronësimi do të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Durrës.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.