Zgjerohet rreziku i qumështit të bebeve me salmonelë në 83 shtete
Në fund të 2017-ës, Franca urdhëroi ndalimin e shitjes së qumështit për foshnja i njohur me emrin “Lactalis”.
Lactalis është një nga prodhuesit më të mëdhenj të qumështit në botë, dhe arsyeja e ndalimit ishte për shkak të baktereve të Salmonelës që përçohej nga po ky qumësht, shkruan Reuters.
Më shumë se 12 milionë kuti të qumështit pluhur për foshnjat në 83 shtete janë tërhequr për shkak të skandalit të salmonelës. Shefi ekzekutiv i firmës së këtij qumështi, Emmanuel Besnier, ka konfirmuar shkallën e rrezikut.
Paditë janë paraqitur nga shumë prindër të cilët thonë se fëmijët e tyre u sëmurën pas pirjes së këtij qumështi.
Një zëdhënës i ka thënë BBC-së se të gjitha vendet e prekura janë në Evropë, Azi, Amerikën Latine dhe në Afrikë. Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe Australia janë vendet që nuk u prekën, ka shtuar ai.
Lactalis është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të produkteve të qumështit, me një shitje vjetore prej 17 miliardë eurosh, ka 246 vende prodhimi në 47 vende dhe ka të punësuar 15,000 vetë vetëm në Francë.
Salmonella mund të shkaktojë diarre të rënda, dhimbje stomaku, të vjella dhe dehidrim të rëndë. Mund të jetë edhe vdekjeprurëse veçanërisht tek fëmijët e vegjël.
Deri tani 35 raste janë raportuar në Francë dhe një tjetër është konfirmuar edhe në Spanjë, shkruan BBC, transmeton Koha.net.
Një tjetër rast po hetohet edhe në Greqi, kanë thënë autoritetet franceze.
Në një intervistë ekskluzive në gazetën franceze “Journal du Dimanche”, shefi ekzekutiv i Lactalis mohoi se firma kishte tentuar të fshehte shpërthimin e këtij skandali në fabrikë.
“Ka ankesa dhe do të ketë një hetim me të cilin do të bashkëpunojmë me të gjithë”, tha Besnier.
Ai gjithashtu ka premtuar se kompania do të kompensojë çdo familje të prekur.
Kompania ka thënë se besojnë se kjo baktere u përhap nga puna rinovuese në fabrikën e tyre Celia në Craon, në Francën veriperëndimore.
Ministri i bujqësisë i Francës ka thënë se produktet nga fabrika do të ndalohen pafundësisht ndërsa hetimi vetëm se ka filluar.
Qeveria franceze ka paralajmëruar kompaninë se duhet të presë dënime. Ata gjithashtu kërkuan të vendosnin sanksione kundër shitësve, pasi u zbulua se disa zinxhirë të supermarketeve kishin vazhduar të shesin produktet që mund të ishin të kontaminuara.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.