Zgjerohet tregtia e jashtme në 10 muaj – Eksportet dhe importet rriten në krahasim me 2016
Ekonomia shqiptare ka filluar të rigjallërohet pas efekteve negative të krizës globale. Kështu shkëmbimet tregtare të vendit tonë gjatë këtij viti janë rritur krahasuar me një vit më parë.
Sipas statistikave të tregtisë së jashtme për periudhën 10 mujore, eksportet shqiptare arrijnë në vlerën e 225.3 miliardë leke, nga 198.8 miliardë lekë që ishte gjatë 10-mujorit të 2016.
Ndërsa pesha e eksporteve llogaritet të jetë 3.4 milion ton, kur në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 3.2 milion ton. Po sipas këtyre statistikave, vlera e importeve gjate 10 mujorit të këtij viti llogaritet te jetë në 511.3 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë ishin 474.8 miliardë lekë.
Ndërsa në peshë importet kapin shifrën e afro 3.6 milion ton, nga 3.4 milion ton që ishte në të njëjtën periudhe të një viti më parë. Diferenca midis import-eksporteve në 2017 llogaritet 286 miliardë lekë, ndërsa në 2016 ishte 276 miliardë lekë.
Po sipas këtyre të dhënave, shkëmbimet tregtare më të larta i zënë ato me vendet e BE, ne masën 61.7 %, ndërsa shkëmbimet me vendet jo anëtare të BE zënë 38.3 % të totalit.
Duke iu referuar strukturës së vendeve të BE, rezulton se nivelin më të lartë të shkëmbimeve, vendi ynë e bën me Italinë, që zë dhe 46.4%, me Gjermaninë 13.4 % dhe në vend të tretë, Greqia me 13.2%.
Gjithashtu, eksportet drejt vendeve të BE, përsëri në vend të parë është Italia me 69.4%.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.