Zgjidhja për borxhlinjtë e mëdhenj – BSH miraton në korrik rregulloren e “Tirana Approach”
Banka e Shqipërisë pritet të miratojë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Mbikëqyrës rregulloren “Për trajtimin jashtëgjyqësor nga bankat të kredimarrësve në vështirësi financiare”.
Kjo rregullore synon adresimin e problemit të debitorëve të mëdhenj me probleme, që kanë ekspozime në më shumë se një bankë, për të paktën 100 milionë lekë. Rregullorja do të miratohet pas një viti konsultimesh me bankar tregtare dhe do të jetë thelbi i qasjes së ashtuquajtur ‘Tirana Approach’. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe është zbatuar edhe një projekt pilot mbështetur në këtë rregullore. Projekti konsiston në zgjidhjen e çështjes së njërit prej kredimarrësve më të mëdhenj me probleme të sistemit bankar, që ka ekspozime në tetë banka të ndryshme.
Pas diskutimeve, është vendosur që të gjitha ekspozimet të trajtohen si një hua e përbashkët dhe kreditorët do të përfaqësohen nga huadhënësi kryesor. Bankat kanë rënë dakord të japin një financim të mëtejshëm me qëllim vazhdimësinë e aktivitetit të debitorit, pasi ky i fundit paraqiti një plan të ri biznesi të përgatitur në bashkëpunim me kompaninë Deloitte. Këstet e kredisë do të ndahen në mënyrë përpjesëtimore me shumën e detyrimeve mes tetë bankave kreditore.
Rregullorja e re parashikon që, për kredimarrësit në vonesë me mbi 60 ditë, bankat mund të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për trajtimin e përbashkët të rastit. Pjesëmarrja e bankave në marrëveshje nuk është e detyrueshme, por, mbështetur në rregullore, Banka e Shqipërisë mund të ndërmarrë masa kufizuese ndaj atyre bankave që refuzojnë të bashkëpunojnë. Banka Qendrore mund të vendosë objektiva specifikë për uljen e kredive me probleme ose të kërkojë një normë më të lartë të mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat që nuk marrin pjesë në marrëveshje ose që pengojnë arritjen e objektivave të përbashkëta.
Procesi do të menaxhohet nga vetë bankat pjesëmarrëse, ndërsa Banka e Shqipërisë do të ketë një rol monitorues. Zgjidhjet që mund të ndërmarren në kuadrin e marrëveshjes do të jenë ristrukturimi i kredive, dhënia e financimeve shtesë për të forcuar qëndrueshmërinë e biznesit, përfshi këtu edhe konvertimin e borxhit në kapital, por edhe shitja e aseteve apo aktiviteteve të veçanta të biznesit debitor.
Ersuin Shehu /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.