Zguri: KQZ nuk do të tolerojë askënd të cenojë procesin zgjedhor

Një ditë parazgjedhjeve të 25 qershorin për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë, kreu i KQZ Klement Zguri në një deklaratë për shtyp, pasi bën një përmbledhje të të gjithë elementëve të zgjedhjeve, deklaron se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
“Administrata zgjedhore në tërësinë e saj është gati për të menaxhuar procesin dhe për t’i dhënë vendit një proces zgjedhor të pakontestueshëm për shkak të saj dhe me standarde të larta administrimi. Ne kemi në gadishmëri të plotë, të gjithë Administratën për t’iu përgjigjur me urgjencë çdo vështirësie, problematike apo impakti që mund të krijohet. Duke u garantuar mbështetjen e plotë komsionerëve të të gjitha niveleve, dua të paralajmëroj se KQZ nuk do të tolerojë askënd që me veprimet apo mosveprimet e tij të cenojë ecurinë dhe përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor. Komisioni ka vullnet të plotë për të ndëshkuar rreptësishtë çdo sjellje dhe veprim të komisionerëve apo numëruesve, në kundërshtim me detyrën dhe në dëm të mbarëvajtjes së procesit.”
Dita e sotme është ditë e heshtjes zgjedhore, ndaj Zguri i bën thirrje të gjithë subjekteve zgjedhore të respektojnë rigorozisht ligjin.
“Sot dhe nesër fuqinë e kanë zgjedhësit, ndaj u bëj thirrje subjekteve zgjedhore të respektojnë rigorozisht ligjin, të ushtrojnë vetfrenim dhe vetkufizim dhe të heqin dorë nga çdo aktivitet apo dalje publike në funksion të fushatës, si dhe mediave, të ndërpresin promovimin dhe anësitë në favor të partive apo kandidatëve. Në emër të KQZ-së, u kërkoj institucioneve ligjzbatuese t’i kushtojnë vëmendje të posaçme parandalimit/pengimit të incidenteve, si dhe kapjes e ndëshkimit të dhunuesve të ligjit.”
“Demokracia është pjesëmarrje. Sa më e madhe pjesëmarrja në zgjedhje, aq më e fortë demokracia! Nesër shqiptarët kanë mundësinë të bëjnë demokraci, ndaj në emër të KQZ-së, i’u bëj apel të gjithë zgjedhësve të marrin pjesë masivisht në votime dhe të ushtrojnë në liri të plotë e në respekt të ligjit masivisht të drejtën e tyre kushtetuese, të drejtën e Votës”, përfundojë Zguri deklaratën.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.