“Zhbllokohen” subvencionet – Aplikimet deri më 31 Maj, fondi 1.6 mld lekë

Fermerët që duan të përfitojnë subvencione nga shteti kanë afat të aplikojnë deri më 31 Maj. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka bërë me dije se afati është 2-31 maj, duke u lënë në dispozicion të interesuarve rreth 1 muaj kohë.
Ajo që vihet re, është se në krahasim më një vit më parë, fondi i vënë në dispozicion është zvogëluar, nga 1.9 miliardë lekë, në 1.6 miliardë lekë.
Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave kanë nxjerrë dhe udhëzimin përkatës, ku për secilën nga skemat e mbështetjes, janë përcaktuar kriteret e përfitimit.
Ndër kriteret kryesore, bëhet me dije se avantazh kanë fermerët që realizojnë projektet brenda 6-mujorit të parë të 2017-ës, që janë të pajisur me NIPT-in e fermerit, sipërfaqja minimale për të cilën aplikohet nuk duhet të jetë më e vogël se 2 dynym dhe jo më e madhe se 5 ha, të kenë paguar taksën e tokës sigurimet shoqërore, si dhe të kenë vërtetim nga OSHEE që kanë shlyer detyrimet e prapambetura.
Kriteret kryesore konkurruese kanë një total prej 100 pikësh, ku:
- sipërfaqja e tokës që do mbillet ka 60 pikë,
- teknologjia e kultivimit 20 pikë,
- kultivarë autoktonë 5 pikë,
- statusi i aplikantit 10 pikë,
- përkatësia gjinore 1 pikë,
- mosha e aplikantit 4 pikë.
Aplikimet bëhen në zyrat e bujqësisë së rrethit përkatës.
Fondi do të shkojë për investimet për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm të tregut; përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe të mbrojtjes së bimëve; prodhimin e perimeve në ambiente të mbrojtura; mbarështimin e blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës; furnizimin e qëndrueshëm të tregut dhe rritjen e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale; nxitjen e investimeve në sektorin e përpunimit, ruajtjes dhe marketingut të produkteve; rritjen e mundësisë së fermerëve për mjete të mekanizuara; nxitjen e formalizimit, kooperimit dhe organizimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (SHBB).
Projektet fituese do të përzgjidhen në bazë të hartës së rajonizimit të miratuar nga Ministria e Bujqësisë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.