Zhbllokohen tenderat e koncesionet – Rama shfuqizon vendimin për pezullimin e përkohshëm

Këshilli i Ministrave vendosi ditën e premte, gjatë mbledhjes së kabinetit në Vlorë, për shfuqizimin e vendimit që pezullonte përkohësisht procedurat e prokurimit publik.
Vendimi i datës 5 Korrik 2017, kërkonte që të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre të mos hapnin më tendera apo koncesione publike deri në një njoftim të dytë.
Nga rregulli përjashtoheshin kontratat e nënshkruara para hyrjes në fuqi të vendimit, prokurimet për blerjet me vlerë të vogël. Ndërsa prokurimet me vlera të mëdha në raste të veçanta dhe për nevoja urgjente mund të nisnin procedurën vetëm me miratimin e Kryeministrit.
Vendimi i atëhershëm u pa si një mjet për të kontrolluar shpenzimet dhe tenderimet abuzive në një moment tranzitor në krijimin e qeverisë së re, kur 7 portofole ministrore ishin nën drejtimin e Partisë Demokratike dhe 4 nën drejtimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Shfuqizimi ka hyrë menjëherë në fuqi dhe kjo nënkupton se duke filluar nga dita e Hënë, të gjitha këto institucione mund të rifillojnë me çeljen e garave për tendera të prokuruar nga fondet në dispozicion.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.