“Zhbllokohet” Rruga e Arbrit – Qeveria miraton bonus për kompaninë private
Qeveria i ka hapur dritën jeshile vazhdimit të projektit për Rrugën e Arbrit. Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave është miratuar bonusi prej 10 për qind të pikëve, për shoqërinë “Gjoka konstruksion sh.a”, për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pa kërkuar, të paraqitur për procedurën e koncesionit, për kompletimin dhe ndërtimin e Rrugës së Arbrit.
Ky vendim është komentuar edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjete sociale, ka theksuar se ky është projekti i parë i Programit Kombëtar 1 Miliardë për Rindërtim, i cili ka hyrë hyri tashmë në fazën finale.
“Pas 25 vjetësh premtime boshe e zhgënjime pas çdo votimi, viti 2017 është viti i nisjes së punës për këtë aks, që e bën Dibrën fqinje të afërt të Tiranës dhe do t’i japë hov zhvillimit ekonomik, social e turistik të një zone të tërë bukurish e burimesh të jashtëzakonshme natyrore, që për çerekshekulli u la në rrënimin e harresës”, shkruan Rama. Kompania shqiptare “Gjoka construction” është e vetmja që ka dorëzuar ofertën ekonomike pranë Ministrisë së Transporteve.
Burime nga Ministria e Transporteve bëjnë me dije se oferta e propozuar nga kompania “Gjoka Konstruksion”, është rreth 250 milionë euro të cilat do të investohen fillimisht nga firma dhe më pas qeveria shqiptare do të nisë shlyerjen kundrejt një norme të caktuar interesi.
Rruga e Arbrit do të lidhë Tiranën me Dibrën në Maqedoni me një gjatësi prej rreth 75 kilometra. Ky aks rrugor shkurton ndjeshëm distancën mes Tiranës dhe Dibrës dhe tashmë kanë mbetur edhe 27 km të papërfunduara. Pritet që në muajin Maj të lidhet përfundimisht kontrata me kompaninë fituese dhe ndërtimi i saj do të zgjasë 46 muaj.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.