“Zhduken” kazinotë elektronike – Nga 1 Janari 2019, largohen nga qendrat e banuara, rregulla për llotot

Nga 1 janari 2019 asnjë kazino elektronike nuk do të lejohet më të operojë në zonat e banuara. Ndërsa bastet sportive do të kenë distancë 100 metër në vijë ajrore nga njëra-tjetra. Lajmi është bërë me dije nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili theksoi se nuk ka më kthim pas. Por, cilat do të jenë efektet nga zbatimi I këtij ligji?
“Besoj që me këto masa që po marrim, me atë regjim të ri që fillojnë datën 1 janar të 2019 ne ndihmojmë gjithmonë e më shumë reduktimin e këtij fenomeni dhe influencën negative/sociale që ka te shumë familje dhe të kemi mundësi që edhe nëpërmjet platformës së re teknologjike që është bërë për monitorimin e lojërave të fatit, të kemi mundësi që ta monitorojmë më mirë sektorin dhe të mbledhim më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit.”
Komisioni I Ekonomisë dhe Financave ka rrëzuar dekretin e Presidentit sa I përket ndryshimeve në ligjin për ‘Lojërat e fatit’ me argumentin se nuk ka ulje të taksimit.
“Ne themi ‘Tatimi mbi lojërat e fatit sipas nenit 52.2, pra është kjo që iu referova aplikohet në shkallën 15%, pra jo më në 10%. Pra, shkallën 15% mbi të ardhurat bruto nga loja për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit përfshirë Lotarinë Kombëtare të licencuar sipas ligjit numër 95/2013 para zgjedhjeve të vitit 2013.
Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave aktualisht në të gjithë vendin funksionojnë 20 kompani të lojërave të fatit, një shifër kjo e përgjysmuar krahasuar me vitin 2013. Ndërsa nga taksimi i këtyre subjekteve mblidhen rreth 54 milionë dollar në vit.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.