Zhgënjen Goldman Sachs – Fondi me performancën më të dobët, investitorët tërheqin $26.7 mld

Njësia e menaxhimit të aktiveve e Goldman Sachs (GSAM) rezultoi si fondi me performancën më të keqe në botë për këtë vit. Investitorët kanë tërhequr rreth 26.7 miliardë dollarë nga fondet e përbashkëta të Goldman Sachs deri më tani për 2017-ën.
Sipas firmës së hulumtimeve Morningstar, flukset dalëse të Goldman Sachs ishin thuajse sa dyfishi i tërheqjeve te Federated Investors, që rezultoi si fondi me performancën e dytë më të keqe.
Kjo vjen në një periudhë të vështirë për Goldman, që është përpjekur të zgjerojë njësinë e menaxhimit të aktiveve për të diversifikuar biznesin dhe për të kompensuar rënien e fitimeve në njësitë tradicionale të bankingut të investimeve dhe tregtisë. Të ardhurat në njësinë e menaxhimit të aktiveve prej 1.3 trilionë dollarësh, ranë me 7% në 2016-ën, ndërsa fitimet me 17%. Problemet kanë vazhduar edhe në tremujorin e parë të 2017-ës.
Goldman Sachs fajësoi tërheqjet e mëdha këtë vit në fondet e tregjeve të parasë, investime afat-shkurtër që i ofrojnë klientëve alternativa likuide ndaj cash-it. Zëdhënësit e Goldman thanë se vargu i fondeve të përbashkëta të kompanisë, përjashtuar fondet e tregut të parasë, patën hyrje këtë vit.
Menaxhuesit tradicional të portofolave si Goldman, që pjesën më të madhe të aseteve e menaxhojnë në mënyrë aktive, janë goditur nga fondet pasive me tarifa më të lira që thjeshtë ndjekin indekset.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.