Zhvendosen investimet private – INSTAT: Bie energjia, rriten të gjithë sektorët e tjerë
Investimet në sektorin energjetik pësuan një rënie drastike vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, investimet e reja në këtë sektor zbritën në rreth 55 miliardë lekë për vitin 2018, në rënie me 44% krahasuar me vitin 2017. Kjo konfirmon se kurba e investimeve të mëdha në sektorin e energjisë është në rënie, me mbylljen e projekteve madhore dhe sidomos e gazsjellësit TAP.
Ky ishte një moment i pritshëm, por, sërish ekonomia shqiptare ia ka dalë të rrisë investimet vitin e kaluar, falë rritjes në sektorët e tjerë prodhues dhe në shërbime. Energjia ngeli sidoqoftë sektori me përqendrimin më të lartë të investimeve në ekonomi, por me një rënie të fortë në 23%, nga 43% të investimeve totale që gjeneroi në vitin 2017.
Sektorët vijues për nga vlera e investimeve vitin e kaluar ishin tregtia me 18.3% të totalit dhe ndërtimi, me 17.6%. Pikërisht ndërtimi ka regjistruar një rritje të fortë të investimeve, me rreth 83% më shumë krahasuar me vitin 2017. Kompanitë ndërtuese investuan rreth 335 milionë euro vitin e kaluar.
Numri i lejeve të ndërtimit për vitin 2018 shënoi nivelin më të lartë për gjashtë vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, vitin e kaluar u miratuan afro 1200 leje ndërtimi, në rritje me 46% krahasuar me vitin 2017.
Inkurajuese janë të dhënat edhe për sa i takon investimeve në industry. Në segmentin më të rëndësishëm, industrinë përpunuese, ndërmarrjet i kanë zgjeruar investimet me 18%, ndërsa në industrinë nxjerrëse investimet janë dyfishuar krahasuar me vitin 2017.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.