“Zhvendoset” rritja – Përmirësohet konsumi, bien investimet dhe eksportet
Rritja e ekonomisë shqiptare vlerësohet se është dobësuar në gjysmën e dytë të vitit 2017, ndërsa kjo rritje është mbështetur më shumë te konsumi privat, por më pak te investimet dhe te eksportet.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kërkesa e brendshme u rrit me 3.5% në tremujorin e tretë të vitit 2017, normë kjo më e ngadaltë krahasuar me rritjen mesatare prej 4.6% për gjysmën e parë të vitit.
Kjo i detyrohet ngadalësimit të investimeve, si pasojë e frenimit të investimeve publike pas zgjedhjeve, por edhe një kontributi më të ulët të investimeve private. Rritja e investimeve në ekonomi u ngadalësua në 3.8% në tremujorin e tretë, në krahasim me rritjen mesatare prej 13% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017.
Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se një tendencë e ngjashme ka vazhduar edhe në tremujorin e katërt, për shkak të ngadalësimit të mëtejshëm të investimeve dhe të thellimit të deficitit të eksporteve reale.
Konsumi privat përshpejtoi normën rritëse në 3.3% në tremujorin e tretë, pasi ishte rritur me rreth 2.2% në gjysmën e parë të vitit. Kjo rritje është mbështetur nga rritja e punësimit dhe e pagave, nga kushtet e lehtësuara të kreditimit dhe nga përmirësimi i besimit konsumator.
Rritja e konsumit privat pritet të ketë vijuar edhe në tremujorin e katërt të vitit, ndërkohë që investimet pritet të pakësojnë edhe më tej ndikimin e tyre në rritje.
Tregues indirektë sasiorë që mbështesin rritjen e shpenzimeve konsumatore janë rritja e importit të mallrave ushqimore, rritja e importit të automjeteve, rritja e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe rritja e kredisë dhënë individëve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.