Zhvendosja e kazinove/Qytetarët: Mezi presim! Tabaku: Janë shumëfishuar llotot
Angazhimi i Ministrisë së Financave për të zbatuar ligjin që zhvendos nga qendrat e banuara kazinotë elektronike dhe rrallon pikat e basteve sportive, shihet me sy pozitiv nga qytetarët.
Duke pranuar se fakti që këto pika janë kudo, i nxit ata të luajnë dhe krijon problem sociale, qytetarët mendojnë se ky vendim do të reduktojë fenomenin e bixhozit në masë të madhe.
Por ndërsa një ditë më parë Ministri i Financave Arben Ahmetaj theksoi se është përgjysmuar numri i kompanive të bixhozit në vend, deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar, duke theksuar se kjo nuk është e vërtetë.
Përmes një postimi në “Facebook” Tabaku shprehet se pikat e lojrave të fatit janë shumë fishuar. Sipas saj nga 928 pika në kohën e qeverisë ”Berisha”, tashmë janë 4230 pika bastesh.
Tabaku ka prekur sërish taksimin e këtyre kompanive, duke u shprehur se qeveria Berisha tatonte xhiron e kompanisë, ndërsa qeveria Rama taton fitimin e saj.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.