Zhvillimi i biznesit – Bregasi: Viti 2017, klimë më të mirë

Viti 2017, pavarësisht se është një vit zgjedhor, është i favorshëm për sipërmarrjen private. Kështu është shprehur për televizionin SCAN kreu i “BiznesAlbania” Luan Bregasi.
Sipas tij, parashikimi për rritjen ekonomike nga 3.5% në 3.8% krijon një klimë të mirë dhe të qëndrueshme për biznesin.
“Mendoj që biznesi nga natyra e vet është optimist. Shpresojmë që gjërat do të shkojnë më mirë. Fakti që vjet rritja ekonomike ishte 3,4% dhe sivjet është projektuar për 3,5% do të thotë se do të ketë një relaksim më të mirë të ekonomisë shqiptare dhe sigurisht edhe të biznesit shqiptar. Pra unë mendoj se këtë vit, pavarësisht se është vit zgjedhor dhe ka ndikimet e veta edhe në ekonomi, do të jetë më i mirë për sipërmarrjen private”.
Kreu i “BiznesAlbania” vlerësoi marrëveshjen politike si një dritë jeshile për biznesin, duke shtuar se një situatë e qëndrueshme në politikë i hap rrugë zhvillimit të projekteve dhe investimeve.
“Biznesi nuk kërkon favore, nuk kërkon diferencime, nuk kërkon privilegje. Biznesi do mjedis të qëndrueshëm politik, kërkon konkurrencë të lirë, dmth të ndershme, kërkon barazi në treg, kërkon një administratë që t’i shërbejë, t’i krijojë mundësinë që të kryejë punët e veta. Në rast se janë këto, atëherë biznesi është korrekt. Pengesat janë për mua kjo situatë jo shumë e qartë politike që kaloi Shqipëria. Pati një turbulencë të vogël nga ana e sipërmarrjes, disa projekte u ndaluan, disa iniciativa nuk u zhvilluan, por marrëveshja si duket i çliroi përsëri këto mundësi dhe sot ne ndjehemi më mirë se biznesi do t’i ketë mundësitë që të kryejë dhe të investojë projektet e veta”.
Klima e biznesit në vendin tonë është vlerësuar pozitive edhe nga Raporti i Bankës Botërore. ‘Doing Business’ vlerësoi klimën e të bërit biznes në Shqipëri, ku vendi u rankua i 58-i në botë duke u ngjitur 32 shkallë në krahasim me një vit më parë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.