Zhvillimi i bujqësisë – Musabelliu: 21% e PBB, por zgjidhja e problemeve s’adresohet mirë
“Pavarësisht se bujqësia kontribuon në masën 21% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, çështjet e burimeve njerëzore apo përpunimit, që do të sillnin zhvillimin e këtij sektori nuk adresohen mirë”. Problematika është ngritur nga rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës gjatë zhvillimit të punimeve të Parlamentit të Parë Rural Shqiptar, i cili shtoi se institucioni që ai drejton do të ndihmojë në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore.
“Aktiviteti bujqësor dhe rural në Shqipëri ka një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Kontribuon me rreth 21% në PBB dhe punëson mbi 48% të popullsisë rurale. Por, nga ana tjetër zhvillimi bujqësor dhe rural në Shqipëri karakterizohet nga çështje shumë dimensionale, të cilat jo gjithmonë adresohen mirë dhe ashtu si duhet. Në zonat rurale ne kemi kapacitete të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, kam parasysh këtu burimet prodhuese, burimet njerëzore, shembujt pozitiv që janë fantastikë, por janë pak e përk këtë arsye më duhet të them që Universiteti do të jetë tejet i interesuar në drejtim të zhvillimit të kapaciteteve në nivelin e fermës, për thithjen e investimeve”, tha rektori Bahri Musabelliu.
Parlamenti i parë Rural Shqiptar ka për qëllim përshpejtimin e axhendës rurale në vendin tonë, ndërsa është instrumenti përmes të cilit partnerët e kësaj nisme kërkojnë të influencojnë politikat e zhvillimit rural, me qëllim përshpejtimin e proceseve reformuese në zhvillimin rural të vendit, në përafrim me politikën e BE-së të Zhvillimit Lokal.
Parlamenti do të zhvillojë punimet në 3 ditë, ndërsa bëri bashkë më shumë se 300 pjesëmarrës, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe autoriteteve lokale, përfaqësues të misioneve të huaja diplomatike, stafit akademik, agjencive zhvillimore, shoqatave të fermerëve, etj.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.