Zhvillimi i ekonomisë – Basha: Do të vendosim taksën e sheshtë me 9%
Vendosja e taksës së sheshtë 9% dhe krijimi i klimës më konkurruese në rajon për biznesin ishte platforma e shpalosur nga kreu i demokratëve Basha. Në takimin e radhës në çadrën e lirisë, kryedemokrati premtoi se me krijimin e republikës së re, pulla fiskale nuk do të tejkalojë 1.54 % të xhiros ditore për bizneset në bazë të vetëdeklarimeve.
“Biznesi do të ketë garancitë e klimës më konkurruese në rajon, taksën më të ulët në rajon, taksën e sheshtë 9% që të ndezë motorët e ekonomisë. Pulla fiskale, me shlyerjen e detyrimeve të cilat në total, qendrore dhe lokale, kurrë nuk mund të tejkalojnë 1,5% të xhiros”, tha kryetari i PD.
Më tej Basha premtoi se faturat e energjisë deri në 300 kw dhe ato të ujit për familjet me ndihmë ekonomike, do të mbulohen nga buxheti i shtetit.
“Faturat e energjisë deri në 300 kw dhe faturat e ujit për konsumin jetik do të paguhen nga buxheti i shtetit për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike”, tha Basha.
Kreu i PD po ashtu nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së sektorit të bujqësisë. Basha u premtoi fermerëve se në këtë sektor do të subvencionohen çdo vit 150 milionë euro çdo vit, nga të cilat 100 milionë euro do të shkojnë për subvencione të drejtpërdrejta.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.