Zhvillimi i rajoneve – Bashkitë që përfituan më shumë nga fondet e qeverisë

Të paktën 26 bashki në vend kanë përfituar gjatë këtij viti nga fondet për zhvillimin sipas vendimeve të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve.
Të dhënat zyrtare për periudhën Janar-Prill tregojnë se pjesa më e madhe e parave janë prokuruar dhe në zbatim të projekteve, ndërkohë që pjesa tjetër është në proces.
Në vitin 2017 në buxhetin e Ministrisë së Zhvillimit Urban për programin e “Zhvillimit të Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale” u parashikuan 8.9 miliardë lekë dhe deri në fund të 4 mujorit të parë të këtij viti këto shpenzime kanë një realizim prej 1.5 miliardë lekë.
“Fondi është shpërndarë në 133 projekte në 54 bashki. Për 88 projekte janë lidhur kontratat, nga të cilat 19 janë përfunduar. 45 projekte janë ende në fazën e shpalljes së procedurës së prokurimit”, vlerëson Ministria e Zhvillimit Urban.
Por cilat si është shpërndarja faktike e fondeve sipas bashkive. Listën e kryeson Bashkia Fier me 18 për qind të fondit.
Më pas vjen Bashkia Berat me 10 për qind, me radhë Bashkia Elbasan me 9 për qind të fondit dhe pas saj Kavaja dhe Divjaka me 7 për qind.
Një pjesë e mbetur e bashkive shtrihen mes harkut 2 dhe 5 për qind por nuk mungojnë as bashki me 1 për qind të fondit si Bashkia Roskovec, Gramsh, Shijak, Lezhë, Maliq.
Fondet për Bashkitë
Bashkia Fier 18%
Bashkia Berat 10%
Bashkia Elbasan 9%
Bashkia Divjakë 7%
Bashkia Kavajë 7%
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.