Zhvillimi i software-ve – Tatimet: Ja cilat janë aktivitetet që përfshihen në fushën e prodhimit te tyre
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar të gjithë tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitetin e prodhimit/zhvillimit të software-ve se tashmë Këshilli i Ministrave miratoi vendimin nr. 730, datë 12.12.2018, “Për përcaktimin e aktiviteteve që përfshihen në fushën e prodhimit/zhvillimit të software-ve, si dhe procedurat për aplikimin e Tatimit mbi Fitimin nga personat juridikë që ushtrojnë këto aktivitete”. Ky vendim është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 176, të datës 13 dhjetor 2018.
Sipas njoftimit, aktivitetet e ushtruara nga personat juridikë në fushën e prodhimit/zhvillimit të software-ve, për të cilat aplikohet shkalla tatimore e tatimit mbi fitimin prej 5% janë: Dizenjim software-i, Zhvillim dhe mirëmbajtje sistemesh software, Testim software, Dizenjim dhe zhvillim, sistemesh të komunikimit, Dizenjim dhe zhvillim sistemesh të sigurisë, Zhvillim sistemesh migrimi, Përmirësim/upgrade sistemesh informatike, Operimi, menaxhimi, suporti i përdorimit dhe auditimi teknik/informatikë për sistemet software.
Për të aplikuar normën 5% të Tatimit mbi Fitimin, personat juridikë, duhet që ti kenë këto aktivitete të përcaktuar në statutin e kompanisë si objekt veprimtarie. Përveç këtyre, aktivitetet e tjera që mund të ushtrojë shoqëria, duhet që të jenë në fushën e teknologjisë së informacionit.
Njoftimi thotë se kur veprimtaritë e tjera, nëse ka, nuk bëjnë pjesë në këtë fushë, duhet t’i ndajë me NIPT-e më vete, në mënyrë që të aplikojë shkallën 5% të Tatimit mbi Fitimin. Gjithashtu, Personi Juridik duhet të paraqesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, një deklaratë ku të shprehet për aktivitetin/aktivitetet e objekt-veprimtarisë së tij, për të cilat aplikon këtë shkallë tatimore.
DPT thotë se duhet të mbahet parasysh që për aktivitetet ekonomike të fushës së teknologjisë së informacionit, të ushtruara nga personi juridik, do të zbatohet shkalla standarde 15% e Tatimit mbi Fitimin.
Subjektet duhet të pasqyrojnë qartë në shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare, të ardhurat që realizohen nga aktiviteti/aktivitet për të cilat aplikohet shkalla tatimore 5%, si edhe shpenzimet e kryera. Kjo, për qëllim të aplikimit të normës së reduktuar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.