Zhvillimi i tregjeve financiare – Ekspertët: Qendra mund të jetë vetëm bursa
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare prezantoi këtë javë strategjinë për zhvillimin e tregjeve nën mbikëqyrje për periudhën 2018-2022. Aktorët e tregut vlerësojnë në tërësi strategjinë dhe angazhimin e AMF për t’i dhënë shtysë tregut financiar jo-bankar, që në Shqipëri ngelet i nënzhvilluar dhe me potenciale shumë të mëdha ende të pashfrytëzuara. Artan Gjergji, drejtor i përgjithshëm i Bursës Shqiptare të Titujve, thotë se megjithatë, kjo strategji ka nevojë për një theks më të madh në zhvillimin e tregut të kapitalit, si themeli kryesor për të pasur një treg financiar të zhvilluar.
Sipas tij, promovimi i fondeve të investimit dhe në veçanti atyre të pensioneve në këtë strategji është për t’u përshëndetur; por, ai nënvizon se pa një treg të mirëfilltë kapitali nuk mund të ketë zhvillim as të këtyre fondeve, për arsyen e thjeshtë sepse ato nuk kanë alternativa për të investuar kursimet që mbledhin. Ai mendon se një nga arsyet pse fondet e pensionit nuk kanë zhvillimin e duhur është kthimi modest që ato ofrojnë, për shkak se fondet investohen të gjitha në letrat e borxhit të qeverisë. Pikërisht bursa do të ofrojë mundësinë për investime alternative, që do të rrisnin përfitueshmërinë nga investimet në këto fonde dhe do t’i bënin ato më joshëse për publikun.
Në prezantimin e strategjisë, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv, Ervin Koçi, tha se zhvillimi i tregjeve financiare është i domosdoshëm për ta ngjitur rritjen ekonomike mbi kufirin prej 5%, të synuar nga qeveria shqiptare.
Strategjia për zhvillimin e tregjeve mbështetet në peshë kolona kryesore, që do të jenë eliminimi i kufizimeve që pengojnë zhvillimin e tyre, forcimi i mbikëqyres, promovimi i tregjeve, edukimi financiar dhe teknologjia. Për sa i përket promovimit, strategjia vendos një fokus të veçantë tek fondet e pensioneve, për shkak të impaktit pozitiv që rritja e këtij tregu do të jepte në rrfshin ekonomik dhe social.
Tregu i sigurimeve, siç pranohet shpesh nga drejtuesit e AMF, ngelet më problematiku nën mbikëqyrjen e këtij institucioni. Në këtë rast, problemet nuk lidhen vetëm me shkallën e ulët të zhvillimit, por edhe me funksionimin e tregut dhe në veçanti të segmentit më të rëndësishëm , atij të sigurimeve të detyrueshme motorike. Strategjia synon të bëjë aktiv sistemin bonus-malus, të ulë numrin e mjeteve të pasiguruara, të parandalojë mashtrimet në sigurime dhe të forcojë mbikëqyrjen e kompanive.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.