Zhvillimi i tregut minerar – Finalizohen me sukses 3 procedura konkurruese, përfshihet edhe kërkim-zbulimi i kromit
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka finalizuar me sukses garën konkurruese për 3 zona të ndryshme minerare, duke zgjeruar tregun e nxjerrjes së mineraleve, por edhe të kërkim-zbulimit. Referuar të dhënave zyrtare, 2 prej lejeve minerare i takojnë nxjerrjes së gurit gëlqeror në Qarkun e Tiranës dhe Elbasanit. Për lejen e miratuar në objektin Skuterrë, në Qarkun e Tiarnës, parashikohet që vlera e investimit të jetë 120 mln lekë, ndërsa prodhimi që mendohet të realizohet në këtë zonë është 260 mijë m3/vit, me një vlerë produktesh prej rreth 1.55 mld lekë.
Ndërkohë që, për objektin Gjorma në Qarkune Elbasanit, vlera einvestimit që parashikohet të kryehet është rreth 208 mln lekë, ndërkohë që vlera eprodukteve minerare parashikohet të jetë rreth 8.67 mld lekë. Ndërkaq, është miratuar edhe leja minerare për veprimtarinë e kërkim-zbulimit të kromit në Martanesh të Dibrës, me një vlerë investimi prej 6 mln lekësh.
Finalizimi me sukses i kësaj procedure merr një rëndësi të veçantë për sektorin, pasi vetë autortietet kanë pranuar se prej më shumë se 7 vitesh në vendin tonë nuk kryhen operacione të reja për zbulime të reja të këtij minerali. Ndërsa paralelisht në vitin 2018 u dha alarmi se rezervat e njohura të kromit pritet të mbarojnë brenda 8 vitesh, ndërsa industria e ferrokromit në vendin tonë do të duhej të mbyllej pas 10 viteve.
Pas bërjes publike të kësaj problematike, autoritetet dhanë 2 leje për këkrim-zbulimin e këtij minerali. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, që i referohet deklarimeve të kompanive, në total, vlera e investimeve në sektorin minerar për vitin 2020 arriti në 2.24 mld lekë apo 21.9 mln USD.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.