Zhvillimi i tregut të mineraleve – Hapet gara për 5 zona minerare, kërkim-zbulim dhe shfrytëzim i kromit
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur garën konkurruese për 5 zona minerare konkurruese për mineralin e kromit, ndërkohë që subjektet e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm brenda datës 11 korrik.
Sipas specifikimeve, 2 prej zonave minerare ndodhen në Qarkun e Elbasanit dhe kanë si objekt shfrytëzimin e këtij minerali. Ndërkohë që zona e tretë, me këtë objekt ndodhet në Kukës. Ndërkaq, ajo që bie në sy është fakti se veprimtaria që do të ushtrohet për 2 zonat e tjera minerare që ndodhen në Has dhe Bulqizë lidhet me kërkim-zbulimin e këtij minerali. Përfundimi me sukses i këtyre procedurave do të merrte një rëndësi të veçantë, duke qenë se më herët zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë deklaruar se prej më shumë se 7 vitesh në vendin tonë nuk bëhen kërkime të reja për zbulimin e mineralit të kromit.
Ky shqetësim doli teksa në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese diskutohej paketa fiskale e vitit 2019, ku pavarësisht kësaj situate qeveria ndërmori në politikën për rritjen e nivelit të rentës minerare në eksport, duke u bazuar te argumenti se kromi në vend po mbaron. Ministria, në relacionin që shoqëronte ndryshimin në ligjin për taksat kombëtare theksonte se “kromi në Shqipëri do të mbarojë për 8 vite, për shkak të eksporteve tejet të larta që përllogariten në 500 mijë ton në vit, ndërkohë që rreth 135 mijë ton do të shkojnë për përpunim brenda vendit.
Sipas ministrisë së Financave, me ritme të tilla kromi do të mbaronte për 8 vite, ndërkohë që industria e ferro kromit në vendin tonë do të duhej të mbyllej pas 10 viteve. Aktualisht rezervat e njohura e kromit përllogariten në 5.5 milion ton.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.