Zhvillimi i qëndrueshëm – Universitetet angazhohen ta mbështesin
30 universitete dhe fakultete në arsimin e lartë shqiptar nënshkruan të martën një marrëveshje për të luajtur rol aktiv axhendën për zhvillim të qëndrueshëm. Zëvendëskryeministrja, Senida Mesi, tha në aktivitetin e organizuar se dija e universiteteve do të jetë një udhërrëfyes për të adresuar problemet kryesore sociale dhe ekonomike.
“Qeveria shqiptare ndan bindjen se universitetet me rrethet e tyre të akademikëve dhe të klubeve të ndryshme studentore kanë të gjitha mundësitë për të qenë partnerë kryesorë të institucioneve shtetërore për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Këto institucione marrin përsipër të promovojnë parimet e objektivave të zhvillimi të qëndrueshëm, të shfrytëzojnë burimet e tyre kërkimore, arsimore për të nxitur realizimin e objektivave globalë”, tha Mesi.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, tha se rritja e cilësisë së arsimit do të rrisë edhe cilësinë e jetës. Sipas saj, universitetet duhet të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik dhe të prodhojnë diploma cilësore për tregun e punës.
“Universitetet kanë fatin dhe destinën, por dhe përgjegjësinë të kthehen në shenjues të rrugës së zhvillimit, në ndikues të shtigjeve dhe shpejtësisë së lëvizjes së gjithë transformimit në të gjitha fushat e zhvillimit të vendit. E meqënëse ne sot jemi në këtë fakultet të nderuar padyshim për të qenë ndikues në atë që do të jetë shpejtësia e zhvillimit ekonomik të vendit”, u shpreh Nikolla.
Përmes nënshkrimit të angazhimit, universitetet shqiptare marrin përsipër të promovojnë parimet e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Plani për zhvillim të qëndrueshëm u miratua në vitin 2015 nga 193 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe ka si qëllim që, deri në vitin 2030, t’i japë fund varfërisë ekstreme, të luftojë pabarazinë dhe padrejtësinë, si edhe të mbrojë planetin.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.