Zhvillimi i turizmit – KIosi: Buxheti 42% më i lartë, ja 4 polet ku do investohet
Buxheti për investimet në sektorin e turizmit do të rritet me 42% për vitin 2018. Ministri i turizmit dhe Mjedisit prezantoi në Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese projektbuxhetin e dikasterit që ai drejton, ndërsa theksoi se për vitin e ardhshëm janë përcaktuar 4 pole për investime turistike, të cilat më pas do të kthehen në pole të zhvillimit ekonomike të vendit.
“Ministria e Turizmit ka marrë në mbështetje buxhetore në të gjithë sektorët të cilët kanë lidhje me institucionet që ndikojnë në zhvillimin e politikave të turizmit, një rritje të investimeve në total prej 42%. Kemi përcaktuar tashmë politikat për investimet në katër pole të zhvillimit turistik të vendit, por që shumë shpejt do të jenë edhe pole të zhvillimit ekonomik të këtyre zonave. E para është zona e Alpeve, kalojmë në qeveri dhe miratojmë masterplanin e zhvillimit të Alpeve në më pak se dy javë duke përcaktuar qartazi të gjithë zonën e Alpeve në Shqipëri si zonë me zhvillim intensiv turizmi. Zona e dytë e cila është paraqitur si zonë projektimi të plotë është zona e jugut të ri, katër qytete, të cilat me programin e Bankës Botërore, një program tashmë aktiv prej 70 milionë eurosh, do të marrin investime të vërteta në fushën e turizmit, për vitin e ardhshëm është Bashkia e Beratit, Përmetit, Gjirokastrës dhe Sarandës dhe poli po ashtu pranë tij, zona e gjithë rivierës shqiptare. Poli i katërt shumë i rëndësishëm, janë qytetet dhe sidomos qyteti i Tiranës”, tha Klosi.
Ndërkaq, referuar buxhetit për Mjedisin, Klosi tha se asnjë mbështetje buxhetore nuk është mjaftueshme, ndaj kërkoi ndihëm e partnerëve të huaj për të rritur financimet në këtë sektor.
“Për sa i përket politikave mjedisore në Shqipëri dhe a kemi burime të mjaftueshme financiare, besoj që ua thashë që sado që të ishin burimet financiare, prapë ato do të ishin të pamjaftueshme, por në këtë kuadër politika e re, tashmë jo më shqiptare, por gjithmonë e më shumë rajonale e partneritetit publik privat do jetë zgjidhje e gangrenave historike të mbrojtjes së mjedisit në Shqipëri”, sqaroi Klosi.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.