Zhvillimi i Turizmit – Klosi: Hotelet me 4-5 yje, taksë zero
Hotelet e reja me 4 dhe 5 yje me status special do të jenë me taksa zero, do të hiqet taksa e infrastrukturës. Kështu është shprehur Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Bendi Klosi gjatë inaugurimit të anijes “Michael”, në Portin e Durrësit ku ishin të pranishëm përfaqësues të agjencive turistike. Më tej Klosi shtoi se shërbimet brenda kësaj game hotelerie, do të kenë 6% TVSH-në e zhvillimit të të gjithë bizneseve brenda këtij sektori.
“Paketa e re fiskale që po kalojmë në parlament me buxhetin e vitit 2018 duket tashmë se sjell në Shqipëri iniciativa të shkëlqyera për investitorët në fushën e turizmit , iniciativa të cilat të krahasuara me vendet e rajonit janë më pozitive. Iniciativat të cilat kërkojnë që hotelet që do të vijnë në Shqipëri dhe të krijojnë hotelet e reja me 4 dhe 5 yje me status special pra që do të kenë një emër të njohur edhe në tregun europian të zhvillimit të turizmit do të jenë me taksa zero,do të hiqet taksa për këto lloj hotelesh në të gjitha hapësirën e zhvillimit të turizmit në vendin tonë. Për të gjitha shërbimet brenda kësaj game hotelerie, do të kemi 6% TVSH-në e zhvillimit të të gjithë bizneseve brenda këtij sektori, duke krijuar në këtë mënyrë mundësi për iniciativa të tjera, mundësi të reja për tē investuar në Shqipëri”, tha Klosi.
Ministri kërkoi gjithashtu një bashkëpunim me të gjithë përfaqësuesit e biznesit, përfaqësitë diplomatike, pushtetin lokal, aktorët dhe faktorët e interesuar për promovim sa më të gjerë të turizmit në vendin tonë.
“Realisht ne kemi shumë nevojë që të shprehim të gjithë gadishmërinë, të shprehim të gjitha mundësitë, të shprehim të gjitha shanset që ne kemi që së bashku me përfaqësues të biznesit, së bashku me përfaqësitë diplomatike, së bashku me pushtetin lokal, së bashku me aktorët dhe faktorët e interesuar në këtë fushë, të bëjmë një promovim sa më të gjerë të mundësive ekselente që turizmi ka në vendin tonë.
Jemi në fazat e para të transformimit të industrisë së turizmit nga industri shërbimesh në industri e cila prodhon para dhe e shikoj me shumë vëmendje dhe me shumë dëshirë këtë aktivitet të sotëm ku realisht një kompani e cila afron shërbimin e transportit, krijon besim në filozofinë tonë për zhvillimin e turizmit dhe vazhdon të investojë në një treg goxha të vështirë të zhvillimit të industrisë detare”, tha Klosi.
Për të parën herë, anija “Michael”, prodhim i viteve të fundit, pesëfishon kapacitetin e transportit me 1000 pasagjerë, 120 kamionë dhe 200 vetura me një itinerar Durrës –Ankona – Trieste – 3 herë në javë. Nëpërmjet kësaj anije shkurtohet koha e udhëtimit midis dy vendeve dhe rritet mundësia për shkëmbimin e turistëve.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.