Zhvillimi urban dhe turizmi – FSHZH gati për zbatimin e projektit 63.8 milionë euro
Shqipëria është gati që të nisë shfrytëzimin e kredisë 63.8 milionë euro që mori nga Banka Botërore lidhur me Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin. Së fundmi Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka publikuar dhe njoftimin e përgjithshëm për tenderimin e disa prej produkteve kryesore që do të implementohen nën komponentët e parashikuar të projektit.
Kjo shërben si një fazë paraprake për individët apo kompanitë e interesuara për t’u regjistruar lidhur me njoftimet konkrete të prokurimeve në një fazë të dytë. Por cilët janë në fakt disa nga komponentët e projektit. Së pari përmirësimi urban dhe infrastrukturor me një kosto 44.3 milion euro.
Ky komponent fokusohet tek katër qendrat urbane nga Saranda, Gjirokastra, tek Berati dhe Përmeti dhe lidhet me investime specifike brenda qytetit. Komponenti i dytë është përmirësimi i sajteve turistike me një kosto të parashikuar prej 8.4 milionë euro që synon ndërhyrjen në disa asete turistike të trashëgimisë.
Komponenti i tretë lidhet me tregun turistik dhe zhvillimin e produkteve me një fond 7.7 milionë euro që do të financojë aktivitete promovimi dhe mbështetjeje për bashkitë për të ndërtuar produktin turistik. Dhe së fundmi është komponenti i mbështetjes së zbatimit me 3.2 milionë euro që zakonisht shkon për pjesën e monitorimit, mbështetjes dhe konsulencës ndaj ekipit zbatues.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.