“Zhvlerësohet” pasaporta shqiptare – Indeksi global 2017, të 95-tit në botë, të fundit në rajon
Shqiptarët vijojnë të mbeten ndër popujt më të diskriminuar në Europë. Indeksi i pasaportës, e rendit vendin tonë të 95-tin në botë, ndër 199 shtete të ndryshme. Madje, në krahasim me një vit më parë, Shqipëria ka humbur 2 pozicione në renditje.
Në pikëzimin e vizave, që përllogaritet mbi bazën e shteteve në të cilat shtetasit shqiptarë kanë të drejtë të shkojnë pa vizë, vendi ynë grumbullon 96 pikë, dhe është vendi me performancën më të dobët në rajon, pas Kosovës, që është një shtet i ri dhe pasaporta e të cilit nuk njihet ende nga të gjitha vendet e botës.
Tre shtetet me pasaportat më të dobëta në Europë janë; Shqipëria, Bjellorusia dhe Kosova që mban sërish vendin e fundit. Pavarësisht se pjesa dërrmuese e fqinjëve tanë kanë pasaporta jo më të vjetra se 20 vjeçare, ato janë më prestigjioze, çka sjell lehtësi më të madhe për të udhëtuar.
Në rang global, të kesh një pasaportë nga Singapori je më i privilegjuari, ndërkohë që me një pasaportë afgane je thuajse tërësisht i izoluar.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.